Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, nga selia e Partisë Socialiste, deklaroi për “Zgjedhje 2021” në “Vizion Plus” se PS ka fituar mbi 74 mandate.
Ai bëri thirrje që të pritet procesi i numërimit me qetësi, por shtoi se PS e di sesi kanë votuar qytetarët sepse ka patur takime intensive me ta.
“Qytetarët e kanë shporehur vullnetin e tyre, ai process është mbaruar dhe prej atij momenti po administrohen kutitë dhe ne do të duhet vetëm të presim dhe të shohim rezultatin. Pavarësisht të gjitha debateve dhe diskutimeve, sondazhet tregojnë qartësisht se PS është forcë e parë dhe forcë qeverisëse në mandatin tjetër. Rezultatet do të jenë shumë herë më të mira sesa sondazhet. Marrim mbi 74 mandate. Tirana është një qytet i madh me shumë njerëz dhe dinamik. Është një nga qytetet që e di dhe do të tregojë vullnetin për mbështetjen e PS dhe për Edi Ramën. Duhet pritur me shumë qetësi numërimi i votave. Ne e dimë si kanë votuar qytetarët sepse kemi punuar me ta gjatë gjithë kësaj kohe. Pjesëmarrja në Tiranë dhe qytetet e tjera është e ndikuar shumë nga mënyra si kanë qenë zgjedhjet kësaj radhe, se njerëzit kanë zgjedhur edhe kandidatët.”
Ovacionet në PS nuk munguan, teksa pas çdo deklarate të Maznikut kishte brohoritje e duartrokitje nga të rinjtë socialistë.