Kandidati për deputet i PS-së, në qarkun e Korçës, Niko Peleshi, kërkoi mbështetje për një tjetër mandat qeverisës, mandat që sipas tij, do të jetë zgjidhja e të gjitha problemeve të mbetura. Gjatë një takimi me banorët në Dishnicë, Peleshi kujtoi edhe një herë sforcot që qeveria Rama është dashur të bëjë në dy mandatet e para, ndërsa tani Shqipëria nuk ka kohë për të humbur por duhet të ecë drejt vizioneve të zhvillimit ekonomik. “Ne jemi mësuar që të bëjmë fushatë me punë. Punët e mëdha dhe shumë punë të vogla janë mbyllur kështu që kryetari i bashkisë është i fokusuar me punët e fshatit më tepër. Ne kemi qeverisur për një mandat e gjysëm le të themi me projekte për zhvillim dhe një gjysëm mandate për të menaxhuar krizën. Mandati i tretë është një mandat i punëve të mira, të mëdha dhe në bashkinë tonë është në punët e fshatit. Fokusi jonë është në fshat. Në 25 prill ne jemi zgjidhja ata janë problemi. Ata janë problemi i të gjithave që ne po mundohemi të zgjidhim. Që nga ligje të gabuara që nuk të lejonin të regjistroje tokën bujqësore. Këto janë probleme të politikës dhe jo të njerëzve. Tani shumë punë janë bërë atje, është bërë paketa ligjore e plotë”, tha Peleshi në Dishnicë.
Peleshi zhvilloi takim edhe me banorë të fshatit Barç, ku theksoi se “sot janë bërë në fshat shumë punë të mëdha, edhe shumë punë të tjera do të bëhen por duhet të kemi parasysh se ku e filluam”. “Duhet të kemi parasysh 2019, kemi patur kriza të një pas njëshme, kriza e tërmetit dhe tani pandemia. Fushatën do e bazojmë në punët që kemi bërë së bashku dhe në nevojën që kemi për ti çuar përpara dhe për ti ngritur në një shkallë tjetër. Në Barç duhet të fillojë të ndjehet ky lloj sektori, agroturizmi, sepse është edhe fshat edhe qytet. Shqipëria duhet të vazhdoje të ecë përpara nuk duhet të kthehet pas. Ne më shumë se çdo popull tjetër nuk kemi kohë për të humbur. Të nxjerrim mësime nga e kaluara dhe të bëjmë realitet disa vizione që ne kemi për zonën tonë por edhe për të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Peleshi.