Elbasan, 12 Prill – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër vaksinimin e të moshuarve në Elbasan. Manastirliu tha se procesi i vaksinimit do të vijojë me të njejtin ritëm, duke bërë me dije se janë mbi 185 mijë të moshuar të vaksinuar deri më sot dhe më shumë se 260,000 vaksinime në total. “Elbasani po ecën shumë mirë, janë mbi 22 mijë vaksinime, do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit në grupmoshën +60 deri 69, sigurisht duke filluar me fashën e moshës më të lartë. Ne në tëtërsi kemi kryer mbi 260 mijë vaksinime, prej tyre, 185 mijë të moshuar janë vaksinuar me dozën e parë”, tha Manastirliu.
Duke vlerësuar menaxhimin e kryer në të gjithë vendin sa i përket procesit të vaksinimit, Manastirliu tha se se sot priten të vijë seria e radhës e vaksinave Pfizer. “Dua që t’ju siguroj që ky proces do të vijojë me të njejtin ritëm. Do të vijojë shtrirja dhe shpërndarja e vaksinave në të gjithë vendin. Pra nuk do të ketë asnjë lloj vonese edhe në shpërndarjen e vaksinave që pritet që të vijnë. Aktualisht sot presim që të vijnë 7020 dozat të kontratës me Pfizer. Dhe do të vijojë vaksinimi në të gjithë vendin”, tha Manastirliu. Nga fillimi i procesit të vaksinimit në vend janë kryer mbi 260,000 vaksinime, ndërsa aktualisht është hapur fasha 60-69 vjeç, duke filluar nga mosha më e madhe, në zbritje deri në 65 vjeç. Ndërsa për grupmoshën 60-65 vjeç, do të prioritizohen të sëmurët kronikë.