Kryeministri Rama ndodhej në Himarë pasditen e kësaj të premte, ku ka zhvilluar një takim me banorët vendas.
Rama tregon se është diskutuar për t’i hapur rrugë një investimi për të hapur një port turistik në Himarë, por do të kishte një kosto të lartë.
Rama: Nuk ka nevojë të flasim në këtë zonë, e kanë parasysh të gjithë si ishte situata. Edhe po të kishim një film përpara dhe ti shikonim këto pjesë të bregut, as vetë s’do i besonim sa ka ndryshuar me atë që ishte. Duhet akoma punë e madhe por tani është bërë diçka komplet tjetër. Tani po bisedonim me Damianin edhe për mundësinë që ti hapim rrugë një investimi për portin këtu, ta bëjmë një port turistik. Por, nëse për këto të tjerat kemi qartësi dhe në një fazë ta avancuar. Ai i Sarandës ka filluar, ky i Durrësit fillon, ai i Vlorës është në procesin përfundimtar të afatit ligjor. Shëngjin e kemi objektiv por s’kemi një proces të avancuar. Për Himarën kemi bërë tentativa por është shumë e thellë pjesa atje dhe del me kosto të lartë.
Me ligjin 20/20 u hap rruga e regjistrimit për herë të parë të tokave bujqësore në bregdet për ata që nuk regjistronin dot pronat e tyre dhe as nuk merrnin dot certifikatat e pronës. Nuk kanë munguar as sulmet kundrejt kundërshtarëve të tij politik. Kreu i qeverisë i konsideroi kundërshtarët politikë me pronë-marrës ndërsa theksoi se çështja e pronës në jug të vendit është futur në brazdë. Rama tha se sipas tij, Meta është kandidat në Qarkun e Vlorës dhe shtoi se ata duhen kundër votuar e lënë me vetëm 1 ose 2 mandate deputetësh.
Rama: E keni parë sa është rritur vlera. Do jenë shumë pika të forta të turizmit elitar, do sjellin shumë të ardhme. Tani e kemi futur në brazdë çështjen e pronës. Zgjidhja është gjetur, Ndërkohë që po të shikoni listën e tyre, është listë pronë-marrësish jo punëmarrësish apo punëdhënësish. Aty janë personazhe që kanë lidhje që ju i dini me botën e errët të grabitjes dhe tjetërsimit të pronave dhe përfaqësojnë interesa shumë të qarta të tjetërkujt. Prandaj kanë ardhur në qarkun e Vlorës. Që nga tuneli deri në Ksamil. Kjo është një arsye që këtu ata duhet të kundër votohen fuqishëm sepse janë shumë të rrezikshëm dhe e kanë treguar çfarë mund të bëjnë me pronat. E mbani mend revoltën e Orikumit. Jini shumë të qartë për këtë dhe thuajini njerëzve të jenë vigjilente jo sepse ata do fitojnë zgjedhjet por duhen kundër votuar shumë fort. Të krasitet ajo pemë e kalbur që duan të mbjellin këtu. Për metën s’dua të zgjatem shumë, e patë çfarë ndodhi jo më larg se dy ditë më para. Tani është vendosur në Vlorë. Është qartësisht në një vazhdë që nuk flet për asgjë të mirë ajo vazhdë. Me ato takimet e skutave që e dini ju. Me OFL, e njerëz që ju thotë do ju nxjerr vëllain e kunatin nga burgu, duhen kundër votuar shumë fort. Vota këtu për PS është për të vazhduar këtë punë por edhe për të kundër votuar ata shumë fort. Është e domosdoshme!