Ngjarja e rëndë e Elbasanit, tregon edhe një tjetër dimension: Atë se si media përpiqet të manipulojë çfarë ndodhi, pasi paguhet nga politika.

Shumica e mediave pranë PD-LSI nuk janë marrë me vrasjen dhe atë që ndodhi, por me biografinë se kush ishin viktimat.

Gazeta Panorama p.sh, e cila në këto zgjedhje është vënë dukshëm në shërbim të Bashës dhe LSI-së, i ka bërë biografinë jo vetëm të vrarit Pjerin Xhuvani, por dhe të plagosurve që janë duke luftuar për jetën në spital, ndëra ka injoruar komplet kush është autori i vrasjes dhe plagosjeve.

“Nga shpërthimi i eksplozivit te prishja e pazareve të drogës, zbardhen e shkuara e dy prej të plagosurve në Elbasan, ish-efektivë policie”, thuhet në një prej titujve të Panorama.

“Nga konflikti mes militanteve Ditën e Verës, të hetimet për abuzimet me ilaçet, kush është Pjerin Xhuvani, që u vra sot në Elbasan”, është një tjetër titull i Panorama.

Ndërsa portali i familjes Berisha, Zeni TV, justifikon vrasjen e Xhuvanit, me justifikimin se ai ka qenë me precedent kriminalë.

“Si Pjerin Xhuvani shpëtoi nga burgu Kostandin Xhuvanin”, është një prej titujve të portalit të Zeni.TV, ndërsa në shkrim thuhet:

“Pjerin Xhuvani, ish-drejtor dhe anëtar i LSI-së në vitin 2014, u lakua në çështjen e Kostandin Xhuvanit, djalit të deputetes së PS-së, Luiza Xhuvani, që u arrestua me akuzën e katër vrasjeve.

Lakimi i tij në atë kohë u bë pasi drejtori i deri djeshëm në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kishte qenë për disa kohë drejtor i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit.

Ishte pikërisht ky spital që lëshoi një vërtetim, sipas të cilit, Kostandin Xhuvani ishte paraqitur aty në gjendje të alkoolizuar dhe ishte mjekuar, në të njëjtën datë kur djali i deputetes figuronte në fakt i pranishëm në një konflikt me armë në Gjirokastër.

Vërtetimi i lëshuar nga Psikiatriku i Elbasanit e shpëtoi djalin e deputetes nga akuza për armëmbajtje pa leje në ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër.

Sipas të dhënave zyrtare mësohet se Pjerin Xhuvani ka qenë për disa vjet drejtor i spitalit Psikiatrik të Elbasanit, ndërsa që nga viti i kaluar drejtonte zyrën e Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Po ashtu Xhuvani ka mbajtur edhe postin e ish- drejtorit në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, por përfundoi në pranga 6 vite më parë pasi akuzohej se i shkaktoi dëm rreth 56 milionë lekë të reja shtetit”.

Për vrasësin s’thuhet asnjë fjalë.

Tani është e kuptueshme që mediat të kenë qendrimet e tyre politike.

Por kur bëhet fjalë për jetë njerëzish, kjo që bëjnë është shumë e shëmtuar, pasi asgjë nuk e justifikon vrasjen, edhe në qofsh krimineli më i madh.

(TemA)