Instituti prestigjioz italian Piepoli dhe Report Tv, kanë sjellë sondazhin e pestë për zgjedhjet politike të 25 prillit. Sipas rezultateve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot Partia Socialiste do të shpallej fituese, pasi do të votohej nga 47 deri në 51% e shqiptarëve.

Ndërsa PD-ja do të merrte 38 deri në 42% bashkë me aleatët e saj, por dhe po të bashkohej me LSI, përsëri nuk do të mund të bënte shumicën pasi partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi, sot votohet nga 4 deri në 8% e shqiptarëve. Ndërkohë 2% të votave në rang kombëtar mund t’i marrin PS e Tom Doshit, Nisma Thurrje dhe Lëvizja për Ndryshim.

Në qarkun e Tiranës që është dhe më i madhi në vend PS-ja, udhëheq me 48 deri në 52%.

Për herë të parë, sondazhi i Institutit prestigjioz Italian, Piepoli ka pyetur qytetarët edhe për vaksinat anti-COVID, të cilët janë siguruar nga vendi ynë deri më tani. Më shumë se gjysma e shqiptarëve kanë besim te vaksinat ruse dhe kineze, ku më konkretisht nga 1200 persona të pyetur, 58 % e tyre thanë se sigurisht që do ta bëjnë vaksinën ruse si edhe 56 % e të pyeturve janë të gatshëm ta bëjnë këtë vaksinë.

Nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe libri i shkruar nga kryedemokrati Lulzim Basha, me titullin “Misioni im”. 62% e qytetarëve thanë se nuk e kanë lexuar, 21% e qytetarëve e kanë konsideruar interesant, e ndërsa 12% e konsiderojnë si një lëvizje të gabuar, që vjen vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.

Qytetarët janë pyetur edhe për sjelljen e presidentit Ilir Meta, të cilët shumica prej tyre më konkretisht 57% e tyre e kanë vlerësuar si negative, referuar ngjarjeve të fundit ku kreu i shteti është bërë protagonist, ku ngjarja më e “freskët” është përplasja te zyrat e FRD-së.