Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit masiv në Fier. Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se javën e ardhshme pritet të vijnë doza të tjera të vaksinës Pfizer dhe Sinovac.
“Janë mbi 125 të moshuar të vaksinuar deri sot në qytete dhe në të gjithë fshatrat dhe zonat e thella, në ambulanca, pra kemi bërë një shpërndarje 100% të vaksinave. Presim që java që vjen të kemi sërish vaksina te Pfizerit dhe gjithashtu serinë e ardhshme të Sinovakut që brenda javës që vjen pritet të mbërrijë, për të hapur kështu dhe fashën +65, edhe +60 me të sëmurët kronikë”, deklaroi Manastirliu.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 185 497 doza të vaksinës ndaj COVID19, nga të cilat 126 146 vaksinime për të moshuarit.