Nga Ardit Rada / Ka pasur një shqetësim të madh mbrëmjen e së enjtes nga disa gazetarë rreth retorikës së Kryeministrit këtë fushatë. Edi Rama është kryqëzuar në panelin e ‘Open’ për faktin se ai përdor ironinë dhe sarkazmën karshi kundërshtarit politik. Shqetësimi i të pranishëmve erdhi pasi kreu i PS e ka cilësuar Lulzim Bashën si dhëndrin Gjino, i cili udhëheq opozitën me kërkesë të shkesëve Berisha, Meta dhe Krymadhi. Paralelisht me këtë ‘problem’ të ngritur nga gazetarët përballë Edi Ramës, rivali i tij ankohej te Blendi Fevziu se ndihej i dhunuar nga retorika e kryeministrit. Siç tha Basha, atij po i monitorojnë edhe orarin e gjumit, duke u shprehur kështu i fyer për ‘talljet’ e kryesocialistit.
Në një studio të tretë ndërkohë, Ilir Meta vijonte fjalimet e tij të njohura prej vitesh. Kreu i shtetit nuk i kurseu as këtë herë akuzat më të rënda të mundshme ndaj ambasadorëve duke i cilësuar si horra në krye të të cilëve qëndron krye-gangsteri Edi Rama.
Sa i përket rastit të djeshëm të presidentit, këto deklarata nuk janë asgjë më tepër sesa përsëritje e asaj se si e njeh tashmë populli Ilir Metën. Pra një përforcim i mozaikut që Presidenti ka krijuar për veten e tij në raport me të tjerët, për të dhënë idenë se është i fortë dhe shantazhues, pavarësisht se drejton një zyrë me 10 vetë staf.
Por rasti i Bashës e tejkalon hipokrizinë. Kandidati për kryeministër u ankua pse i tallin flokët, veshjen apo orarin e gjumit. Konkretisht Basha u shpreh dje se: “Rama është kthyer në një satelit, merret me fushatën time, me programin, me veshjen time, me flokët, madje më monitoron dhe orarin e gjumit”.
Dhe më pas në studio pllakosi heshtja…
Asnjë fjalë nga gazetarët për gjuhën e shthurur që Basha ka përdorur më parë dhe vijon të përdorë. Jo vetëm për thirrjet që të thyhen xhama, të çahen goma dhe të rrihen nëpunësit e shtetit me grushta. As për djegien e qendrave të votimit. Por së paku për fjalorin që përdor ndaj Ramës, të cilit paralelisht po i bëhej gjyqi për ‘Gjinon’.
Kush e ka harruar, po i sjellim në vëmendje fragmentin e mëposhtëm ku Lulzim Basha pasi i preu gishtat polices Ina Nuka përmes militantëve të tij, e cilësonte Ramën si të çmendur, të sëmurë, hajdut dhe siç e thotë ai me “ë”-në në vendin e gabaur: “O plehër”!
Tani, gjykojeni vetë kush është më e rëndë: Gjinoja, gangsteri dhe horri, apo plehra dhe i çmenduri…