Raportueja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e konsideron të papranueshme pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si votues në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare, raporton Gazeta Express.
Ajo ka thënë se nuk e kupton këtë veprim të kryeministrit të Kosovës, teksa ka kujtuar se në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia dhe Aleksandar Vuçiq.
“Nuk mund ta kuptoj se çfarë është e gjithë kjo. Nga njëra anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia ose nga vetë Presidenti Aleksandar Vuçiq, por nga ana tjetër këtu kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. E papranueshme. Të paktën jo për mua”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi në zgjedhjet e sotme në Shqipëri pak pasi u hapën vendvotimet, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që ta bëjnë të njëjtën.
“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe bërë zgjedhjen më të mirë. Dita është e bukur, e dielë, me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri që ashtu sikurse unë, e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti pas votimit.
Ky veprim i Kurtit ka nxitur shumë reagime nga Kosova. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se kryeministri po interesohet më shumë për zyrtarët e partisë së tij në Shqipëri sesa për fatin e qytetarëve të Kosovës.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka cilësuar po ashtu të papranueshëm faktin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë si votues në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare në Shqipëri.
Këtë veprim e kritikoi edhe avokati i njohur, Dastid Pallaska, i e ka quajtur Kurtin kryeministër me gjysmë orari dhe të zgjedhur nga qytetarë sezonal.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se Kurti ka mbyllur Qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa vet ka votuar në Qendrën e votimit në Tiranë.
Ndërkaq ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se “Kurti e ka kokën si struci në Kosovë, ndërsa bishtin e mban lart në Shqipëri”.
Këtyre kritikave iu përgjigj në njëfarë mënyre kryeministri i Kosovës, i cili tha se është kthyer në Kosovë.