Politikisht, mbrëmja e të enjtes për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ishte në favor të tij, duke sjellë si rrallë herë një reagim ndaj një emri konkret në parti (dhe jo pa peshë,) pak para mesnate. “E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj…”, komentoi Lulzim Basha në Facebook natën vonë.

Në fakt reagimi i Bashës për Nishanin nuk ishte i atypëratyshëm apo i shpejte. Bujar Nishani kishte deklaruar orë me parë në emisionin “Frontline” se Basha e dinte që Berisha do të shpallej ‘non grata’. “Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë”, u shpreh Nishani në News24. Pas deklaratës së Nishanit nëpër studio televizive qarkulluan plot lajme të tjera që lidheshin me një tjetër patate të nxehtë “21 janarin”. Basha sërish heshti.

Por ajo që duket se i vuri kapakun reagimit të vonshëm të tij, ka qenë një tjetër emision, i ftuar Sali Berisha, i cili teksa komentoi deklaratën e Nishanit la të kuptojë shumëçka kundrejt Bashës. Berisha as më shumë e as më pak e la qartazi të kuptohet se ai nuk kishte qenë dakord më afrimin e zgjedhjeve për kryetarin e partisë nga ana e Këshillit Kombëtar pas një propozimi formal që kishte bërë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. “Ato që thotë Nishani, për të cilin kam respekt si bashkëpunëtor, përveç fjalëve në ajër nuk kam të dhëna konkrete. Lulzim Basha nuk ka ndikuar në këtë proces nuk e besoj. Ai shpalli fushatën zgjedhore…

Unë kam mbetur i habitur nga votimi unanim për të filluar fushatën zgjedhore në parti. Detyra më kryesore për mua absolute ishte faktimi i batërdisë elektorale para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Po ashtu edhe një analizë serioze të PD-së. Një vendim që e votoi këshilli kombëtar, edhe ata që kërkonin dorëheqjen e Bashës, unë vendosa që të hesht se ishte një vendim unanim”, tha Berisha.

A duhej Basha që të jepte dorëheqjen? “Kjo është çështja e individit, por kjo pyetje nuk mund t’i bëhet dikujt që e ka dhënë dorëheqjen…”, u përgjigj Berisha i cili shpjegoi gjere e gjatë në emisionin “PolitikON” gjithë ecurinë e marrëdhënieve të tij diplomatike me SHBA.

Ecuria e atij emisioni më shumë se për këdo tjetër kishte lënë një shije jo fort të mirë politikisht për Lulzim Bashën i cili deri më tash ka mbajtur vetëm një deklaratë gjysëm berishiane dhe gjysëm amerikane për vendimin e DASH Komenti i Lulzim Bashës në orët e vona, pak para mesnate në faqen e tij në Facebook më shumë se sa një reagim për Bujari Nishanin me të cilin ka disa “hesape” të hapura se nuk e beri deputet dhe ndonjë fërkim për kandidaturat kur Nishani ishte anëtar i komisionit të verifikimit, ishte pasojë për ato që në fakt tha Sali Berisha, i cili si rrallë herë foli me superlativa për Bujar Nishanin dhe lëshoi “spazmat” e para për Lulzim Bashën.

Dhe kjo nuk është pak për një kryetar partie që synon të marrë një mandat të tretë në parti, në kohën më të pafavorshme për të, sepse për herë të parë në elektoratin e PD-së po vërehet një pakënaqësi e dukshme që lidhet direkt me humbjen e zgjedhjeve të opozitës. Dhe Basha disa qëndrime, do apo nuk do ai, është i detyruar t’i mbajë…

(SI)