UEFA konfirmoi se finalja e Champions League do të luhet sipas programit në Stamboll, pavarësisht infektimeve në rritje me Covid-19 dhe faktit që prej 29 prillit, në Turqi hynë në fuqi masat e shtrënguese.
Në deklaratën zyrtare të konfederatës europiane lihet të kuptohet se megjithë izolimin, në duelin për trofeun më 29 maj do të ketë një numër të kufizuar tifozësh. Presidenti turk Tayyip Erdogan njoftoi se mbyllja do të zgjasë deri më 19 maj, si mënyrë për të luftuar numrin në rritje të infektimeve dhe humbjeve të jetëve.
Finalja e Champions League në Stamboll duhej të ishte zhvilluar prej vitit 2020, por ajo u shty për shkak të pandemisë, me fazën finale të eventit që u zhvillua në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë.
Me gjithë situatën problematike në vend, përpos eventit më të rëndësishëm të futbollit, Turqia konfirmoi edhe zhvillimin e garës së Formula Një, e cila është përcaktuar në fundjavën e 12 dhe 13 qershorit. Çmimi i Madh i Turqisë zëvendësoi garën e Montrealit në Kanada, e cila u anulua për të dytin vit me radhë.