Kosova është një ndër vendet që ka siguruar një numër të vogël vaksinash me vetëm 24 mijë doza vaksinash nga AstraZeneca. Ndërkohë tashmë pritet që në Kosovë deri në gusht të pritet që të mbërrijnë 195 mijë e 287 vaksina Anti-COVID.
Ministria bën me dije se të martën pritet që pesë mijë vaksina të mbërrijnë nga Bashkimi Evropian, i cili deri në fund të muajit gusht do ta furnizojë Kosovën me gjithsej 94 mijë e 667 doza të vaksinës.
Ndërsa, COVAX ka premtuar që deri në fund të këtij muaji ta furnizoj Kosovën edhe me 100 mijë e 620 vaksina. Nga BE kanë deklaruar se furnizimi i vendit me vaksina do të vazhdoj edhe më tej.
Zëdhënës në BE kanë thënë për Express se duke filluar nga kjo javë deri në gusht, Kosova do të furnizohet me 94 mijë e 667 doza të vaksinave.
Ata kanë deklaruar se këto doza do të plotësojnë dërgesat e para nga COVAX.
“Komisioneri do të jetë në Kosovë të mërkurën për të diskutuar me autoritetet përgjigjen ndaj pandemisë dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst. Do të ketë këste javore si për shtetet anëtare, duke filluar nga kjo javë deri në gusht. Nga gjithsej 651,000, Kosova do të marrë 94,667 për të ndihmuar vaksinimin e punonjësve mjekësorë të vijës së parë dhe grupeve të tjera të prekshme. Këto doza do të plotësojnë dërgesat e para nga COVAX, ku BE dhe shtetet anëtare janë një kontribuues kryesor me pothuajse 2.5 miliardë euro”, ka konfirmuar zëdhënësi.
Nga BE kanë thënë tutje se do të vazhdojnë diskutimet me shtetet anëtare dhe prodhuesit për të ndarë më shumë doza të vaksinave.
“Siç e dini mekanizmi i ndarjes së vaksinave të BE-së që po ngrihet do t’i kushtojë vëmendje Ballkanit Perëndimor, fqinjësisë dhe Afrikës dhe më gjerë. Pra, ky njoftim i parë i vaksinave të financuara nga BE i siguruar në bazë të marrëveshjeve të përparuara të blerjes duhet të shihet si fillimi i ndarjes së vaksinave të BE’së me Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë diskutimet me shtetet anëtare dhe prodhuesit për të ndarë më shumë sasi pasi ato të bëhen të disponueshme”, kanë thënë zëdhënës të BE-së.