Supersfida e javës së 37 në Seria A mes Juventusit dhe Interit, që njihet ndryshe edhe si derbi i Italisë dhe që u fitua 3-2 nga bardhezinjtë, ka shkaktuar shumë polemika për shkak të arbitrit Calvarese.

Ai u bë protagonist i tre penalltive tejet të diskutueshme, i dy kartonave të kuq, por mbi të gjitha i një episodi që vendosi ndeshjen në favor të ‘zonjës së vjetër’. Në minutën e 88 Cuadrado rrëzohet në zonën e Inter pas një kontakti me Perisic, por sa më shumë ku aksion rishikohet aq më shumë shtohen pikëpyetjet. Në fragmente të veçante madje krijohet edhe përshtypja se është futbollisti i Juventusit ai që e ka shkaktuar penalltinë. Gjithsesi ajo u akordua dhe u bë përcaktuese për rezultatin e ndeshjes 3-2.

Në fund të ndeshjes kapiteni Chielinni ka deklaruar se ‘Juventus nuk i vodhi asgjë Interit’, ndërsa legjenda bardhezi Del Piero ka qenë më i ashpër. Ai është shprehur se ‘vetëm arbitri mund ta shpjegojë përse e dha atë penallti’. Për Juventusin kjo ishte një fitore jetike për objektivin ‘Champions League’.

Ndërkohë java e 37 e Seria A ka rezervuar edhe derbin e Romës që është fituar 2-0 nga verdhekuqtë. Golat për skuadrën e Fonseca-s u realizuan nga Mkihtaryan dhe Pedro, ndërsa kjo humbje për Lazio-n djeg shumë pasi tashmë nuk ka më asnjë shans për të synuar kualifikimin në Champions League.