Komisioni Hetimor që do të hetojë shkelje kushtetuese të kryera nga presidenti Ilir Meta nuk ka humbur kohë dhe ka nisur menjëherë nga puna. Pas miratimit ditën e djeshme nga Kuvendi me 98 vota pro dhe 6 kundër për ngritjen e këtij Komisioni Hetimor, ai ka nisur mbledhjen e parë ditën e sotme. Kryetari i Komisioni Alket Hyseni tha në fillim të seancës se kjo është një mbledhje konstituive.
Takimi zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku mbledhja drejtohet nga kryetari i komisionit hetimor Alket Hyseni dhe nënkryetari Myslim Murrizi.
Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.
Në raportin e miratuar dy ditë më parë në Komisioni i Ligjeve argumentohet se “Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër mazhorancës. Deklaratat e tij kanë cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në raport.
Gjithashtu të tjera arsye se pse duhet hetuar dhe më pas shkarkuar kreu i shtetit, në raport theksohet se “Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë, urrejtje, ndasi si dhe vetëgjyqësi dhe sjelljet dhe mesazhet e tij publike janë në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit dhe të papajtueshme me Kushtetutën”.
Afati i punës së Komisionit Hetimor i ngritur nga Kuvendi pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.
Përbërja e Komisionit Hetimor
Kryetar: Alket Hyseni; Nënkryetar Myslym Murrizi; Sekretar: Klotilda Bushka; Anëtarët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani; Zëvendësues: Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.