Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Ditën e Hapur të Forcave të Armatosura në kuadër të stërvitjes me NATO-n “Defender Europe 21”, në sheshin “Nënë Tereza”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë ushtarakëve të Forcave të Armatosura që marrin pjesë në këtë stërvitje, e cila siç e quan ai është “kaq domethënëse për nga përmasat dhe për nga mesazhi i saj”.
Kryeministri theksoi sa rëndësi ka për ta dhe familjet e tyre, misioni që ata mbajnë përsipër, duke shtuar: “Përtej mirënjohjes për të gjithë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë nën uniformë që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe që në të njëjtën kohë përbëjnë edhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqpitarët dhe për Shqipërinë, me përkushtimin dhe me sakrificat e tyre, t’u shpreh mirënjohjen edhe familjeve të tyre, familje që sakrifikojnë çdo ditë dhe që janë të parët të cilët preken nga emocionet jo të vogla dhe jo të rralla të përfshirjes së pjesëtarëve të tyre në Forcat e Armatosura, për të cilët jo çdo ditë është e qetë dhe jo çdo kohë është e sigurtë”.
Kryeministri Rama i kushtoi një falenderim të veçantë Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadores Yuri Kim për punën e përkushtuar që kanë bërë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe për drejtësinë e re në vend.
“Nga ana tjetër po sot dua t’i falenderoj me mirënjohje të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse nga Shtetet e Bashkuara dhe nga të gjitha vendet e tjera, si dhe dua t’i bëj një falenderim të posaçëm përfaqësueses së qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Ambasadores Yuri Kim e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy vendeve, duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave dhe të nevojave të vendit tonë, qoftë në drejtim të forcimit të kapaciteteve tona të mbrojtjes, qoftë në drejtimi të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona të drejtësisë dhe patjetër që besimi që Shtetet e Bashkuara kanë treguar në vijim tek ky partneritet dhe te kjo aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake Defender Europe 21, e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe, me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë”.
Më tej, Kryeministri theksoi se përmirësimi i përditshëm i Forcave të Armatosura do të krijojnë mundësinë për të rinjtë e vendit që ta shohin gjithnjë e më shumë si një karrierë të dëshirueshme rrugën drejt anëtarësimin në trupat mbrojtëse të vendit.
“Dhe së fundi dua të nënvizoj edhe faktin që ndërkohë edhe vetë kjo shfaqje e bukur apo ekspozitë siç e quajti ministri i Mbrojtjes për t’u dhënë mundësinë qytetarëve që të vijnë dhe të vizitojnë nga afër gjithë këtë arsenal nuk do të ishte e tillë sot nëse nuk do të kishte qënë në vijimësi mbështetja konkrete e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për rritjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të kapaciteteve të ushtrisë shqiptare sa në aspektin e rritjes cilësore të burimeve tona njerëzore, aq edhe në aspektin e modernizimit të Forcave tona të Armatosura me mjete dhe logjistikë të fjalës së fundit.
Nga ana tjetër unë kam shumë besim, edhe bazuar në bisedat me Gjeneralët që na nderuan me praninë e tyre në hapjen e kësaj stërvitjeje, por edhe në bashkëbisedimin e vazhdueshëm me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara se ne do të mund të hedhim hapa të tjerë kuptimplotë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të Forcave tona të Armatosura duke krijuar kështu një hapësirë shumë më tërheqëse edhe për ta materializuar atë thirrje që bëri ministri i Mbrojtjes për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë do ta shohin adresën e Forcave të Armatosura si një mundësi të artë për formimin dhe për jetën e tyre pas shkollimit. Krijimi në Shqipëri i një kapaciteti të ri akademik në funksion të rritjes së kapaciteteve njerëzore të Forcave tona të Armatosura në partneritet të Shteteve të Bashkuara është objektivi dhe misioni i përbashkët i qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe i përfaqësisë së Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri”.
Në mbyllje Kryeministri Rama tha se kjo stërvitje nuk do të përmbyllë ndikimin e Shteteve të Bashkuara në Forcat e Armatosura të vendit, por do të jenë një pikënisje e re për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Unë jam shumë falenderues dhe mirënjohës për të gjithë sa janë përfshirë në këtë proces të jashtëzakonshëm aspak të lehtë të Forcave tona të Armatosura dhe me bindjen e plotë që kjo stërvitje nuk mbaron në aspektin e influencës së saj në FA–të tona me mbarimin e afatit të përcaktuar, por do vazhdojë të influencojë moralisht të gjithë ushtarakët tanë, uroj që miqësia e madhe mes Shqipërisë dhe SHBA-ve të jetë e përjetshme dhe ashtu siç tha ambasadorja ne të vazhdojmë të jemi krah për krah sot, nesër dhe gjithmonë,” përfundoi zoti Rama.