Kryeministri i Kosovës tha se do të ishte gabim për shtetin e Kosovës që të kërkohet garanci për ish-luftëtarët që ndodhen në burg.
Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë letër për garanci në lidhje me luftëtarët që po mbahen në Hagë. Ai është zotuar se po bëhen përgatitje gjigante për të paditur Serbinë në Gjykatë Ndërkombëtare.
Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk është shtet i tretë dhe se kjo i pamundësohet me vendimin e gushtit të vitit 2015.
“Kosovës me vet vendimin të datës 3 gusht 2015, i pamundësohet që të konsiderohet si shtet i tretë, i cili mund të jepte garanci…Nuk mund të kërkoj unë nga Kroacia për garanci. Aty ka një proces juridik në të cilën ata që janë në burg i kanë mbrojtësit e tyre ligjor, të cilët e udhëheqin mbrojtjen. Nuk është shteti në gjyq. Andaj nuk më takon mua që të marrë këso hapash. Do të ishte gabim edhe për shtetin e Kosovës edhe për luftëtarët e UÇK-së që i kemi në burg”, ka deklaruar ai.
Më tej, në konferencë për media ka shtuar se kanë filluar punën për përgatitjen e padisë ndaj Serbisë. Por që nuk ka treguar se kur do të mund të ndodhë një gjë e tillë.
“Do të ju njoftojmë kur do t’i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve. Që janë përgatitje gjigante, sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk mundet e as nuk duhet të humbet në GjND. Përgatitjet duhet të jenë tejet të mëdha në shumë aspekte, e përveç tjerash lidhen edhe me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës. Themi kështu sepse nuk janë vetëm krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i qeverisë ka thënë se nuk ka marrë asnjë letër nga askush, ku është kërkuar garancion në Gjykatën Speciale.
“Letër prej askujt nuk kam marrë për asnjë garancion lidhur me Gjykatën Speciale dhe luftëtarët e UÇK-së që janë atje”, ka njoftuar ai.
Ai ka arsyetuar vendimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore. Sipas këtij vendimi, për këto komuna në veri të Kosovës janë ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës.
“Jemi në një situatë të pafavorshme, për shkak se nëse nuk kishim ndërmarrë diçka të këtillë, atëherë me devijimin që do të mund t’i shkaktonim në rrjetin ndërkombëtar do të rrezikonim që të përjashtoheshim edhe nga ENSOIA, që do të ishte katastrofale. Prandaj, në njërën anë ka qenë një veprim i imponuar nga situata, ndërkaq nga ana tjetër nuk është se energjia e papaguar do të paguhet prej nesh dhe në këtë mënyrë gjithçka do të jetë në rregull. Borxhi është borxh, nuk është diçka që eliminohet si i tillë. Mirëpo ne po e menaxhojmë situatën drejt një zgjidhje të qëndrueshme”, ka deklaruar Kurti.