Qeveria e Republikës së Kosovës sot në mbledhje e radhës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për lehtësimin e masave anti-COVID-19.
Sipas këtij vendimi që u mor sot, e i cili hyn në fuqi nga e hëna, më nuk do të ketë orë policore e po ashtu lejohet lëvizja pa maska gjatë ecjes kur qytetarët janë vetëm dhe në ambient të jashtëm.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur propozimin e tij para kryeministrit, Albin Kurti dhe kolegëve ministra.
“Kufizimi i orarit të qarkullimit do të hiqet, megjithatë nga ora 00:00, e deri në ora 05:00 nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave qoftë në ambient të hapur ose të tjera, përveç ambienteve me familje. Zgjatja e orarit të punës për shërbimet e gastronomisë deri në ora 23:00. Lejimi i lëvizjes pa maska gjatë ecjes kur ata janë vetëm dhe në ambient të jashtëm”, tha Vitia.