Për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër, KQZ është shndërruar në një KZAZ ku po numërohen 108 kutitë e qarkut Durrës.

KAS i dha dritën jeshile kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila pretendon se e ka humbur mandatin e saj të parë vetëm për 136 vota, që i takonte të parës në listë, Elona Gurit.

Në KQZ me kërkesë të LSI-së vijon rinumërimi i 108 kutive për qarkun e Durrësit.

Nga 54 kuti që janë rinumëruar deri tani nuk ka ndryshim rezultati. Mësohet se PS ka humbur 2 vota, LSI ka marrë 3 vota, ndërsa PD ka humbur 13 vota.

LSI synon të marrë mandatin e kryeministrit Edi Rama, i cili ishte i 8-i në listën e Durrësit.

Katër numërues nga administrata e KQZ po rinumërojnë fletët e votimit në 108 kutitë për qarkun e Durrësit.

Subjektet politike kanë vëzhguesit e tyre të pranishëm në 8 tavolina numërimi.

Përfaqësuesi i PS-së në KAS, Eridian Salianji tha se ishte dakord me kërkesën e LSI-së për rinumërim dhe rivlerësim, ndërsa theksoi se rezultati nuk do të ndryshojë.