Një sms e drejtores së programacionit javën e shkuar ka trazuar ujrat në televizionin Ora News në pronësi të Ylli Ndroqit, por në sekuestro shtetërore prej muajsh.
Dy drejtues programesh i thanë gazetës DITA se sms ishte një “porosi” e pronarit të televizionit sipas së cilës në edicionet e lajmeve dhe në emisionet politike të mbrëmjes nuk duhej ftuar askush që dilte kundër “linjës Basha”.
Departamentit të lajmeve ju përcoll e njëjta direktivë: nuk duheshin mbuluar aktivitetet e kontestuesve të kryetarit të PD.
Burime konfidenciale bëjnë me dije për DITA se një sms të tillë e ka marrrë edhe drejtuesi i PolitikOn Alfred Lela, i cili nuk ka qenë dakord me urdhrin dhe ka shprehur pakënaqësi.
“Porosia” ka ardhur një ditë pas një emisioni shumë kritik të Lelës ku kishte të ftuar Arben Ristanin dhe Ibsen Elezin, të dy kritikë të fortë të Bashës dhe pjesë e grupit që kërkon dorëheqjen e kryetarit të Partisë Demokratike.
Mosbindja e Lelës ka vazhduar edhe në emisionin e së hënës kur në moszbatim të urdhrit ka ftuar ish-presidentin Nishani, i cili gjithashtu ka dalë publikisht duke kërkuar largimin e Bashës.
E kundërta ka ndodhur në emisionin e mbrëmshëm PolitikOn me një panel ku nuk janë përfshirë anti-bashistët. Ajo që ka rënë në sy është fakti se për herë të parë gazetari në fund të monologut ka shtuar shënimin ‘ky editorial nuk shpreh pikëpamjet editoriale të RTV Ora’ duke e shkëputur kështu veten nga media ku bën programin.
Burime të sigurta të DITA thonë se ka qenë ndërhyrja e vetë Lulzim Bashës te pronari i Orës Ylli Ndroqi duke i kërkuar që të mos lejojë që media e tij të përdoret nga kundërshtarët e tij.
Të njëjtat burime thonë se Ndroqi ia ka ndërprerë kontratën Alfred Lelës pas një takimi me të në fillim të javës.
Gazetari u kontaktua nga DITA, por pranoi të thoshte vetëm se “program i tij mbyllet në fillim të qershorit dhe nuk do vazhdojë sezonin tjetër. Për të tjerat, no comment”.
Alfred Lela është shkarkuar nga Media Mapo në vitin 2017, pasi Henri Çili i kërkoi të mbronte qeverinë Rama. Katër vjet më vonë duket se gazetari largohet nga një pronar tjetër për shkak të një politikani të krahut të kundërt, Lulzim Bashës.
Kryetari i PD pati dalë në mbrojtje të Lelës atë kohë duke sulmuar qeverinë si shkelëse të lirisë së shtypit.
Marrë nga Gazeta Dita