Ministri i jashtëm maqedonas, Bujar Osmani është në Berlin ku shpreson të marrë sërish mbështetjen e Gjermanisë për çeljen zyrtare të negociatave me BE-në.
Kjo është vizita e tij e parë fizike, duke qenë se takimin e mëhershëm me homologun gjerman, Heiko Maas e ka pasur në mënyrë virtuale.
“Këtë vit shënojmë 28 vjet nga nisja e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë. Kemi raporte të ngushta politike. Kemi një vëllim të madh tregtar. Të gjitha këto janë parakushte për t’i shndërruar këto marrëdhënie në një partneritet strategjik. Por, qëllimi kryesor pse jam këtu, është për të biseduar për dosjen tonë evropiane, implementimin e vendimit të marsit për çeljen e bisedimeve, për arsye se Gjermania kishte bërë përpjekje të jashtëzakonshme gjatë presidencës së saj për të mundësuar këtë vendim, dhe po e vazhdon të njëjtën edhe tani në kuadër të trojkës me presidencën portugeze“, tha Osmani për DW.
Maqedonia e Veriut bllokohet aktualisht nga Bullgaria. Osmani tha se e sheh samitin e qershorit të BE-së si një mundësi të artë për të filluar bisedimet si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë.
Ai ka varur shumë shpresa tek Gjermania, nisur dhe nga fakti që ajo ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar gjatë presidencës së saj. “Gjermania po vazhdon të bëjë këto përpjekje edhe në kuadër të treshes me presidencën portugeze. Unë kam ardhur këtu për të kërkuar që të vazhdojë kjo mbështetje e zëshme. Por, edhe nga vendet e tjera se e shoh samitin si një mundësi, të cilën nuk guxojmë ta lëshojmë”, ishte komenti i Osmanit.