Sipas një raporti të publikuar nga OBSH, gjatë 7 ditëve janë raportuar 4.1 milion raste me Covid në të gjithë botën, një rënie në numrin e të infektuarve prej 14% krahasuar me një javë më përpara.

OBSH raportoi gjithashtu 84,000 viktima në të gjithë botën, një rënie prej 2% nga një javë më parë. Rënia më e madhe në numrin e të infektuarve dhe viktimave u regjistrua në rajonin Europian.

Sidoqoftë, OBSH paralajmëroi se rastet globale ishin përgjithësisht të larta.

“Pavarësisht nga një rënie gjatë katër javëve të fundit, incidenca e rasteve të Covid-19 dhe vdekjeve mbeten të larta, dhe janë konstatuar rritje të konsiderueshme të rasteve në shumë vende në të gjithë botën”, theksoi OBSH.

India ka raportuar numrin më të lartë të rasteve të reja deri tani – 1,846,055 – pavarësisht se ishte një rënie prej 23% krahasuar me një javë më parë. Në një azhurnim mbi variantet e virusit, OBSH raportoi prova të reja që tregojnë se transmetimi në komunitet nga Marsi në Prill në Mbretërinë e Bashkuar ishte më i lartë për shkak të variantit indian sesa për shkak të variantit britanik.

OBSH gjithashtu theksoi rëndësinë e masave për të mbajtur nën kontroll përhapjen e varianteve.