Pandemia në Shqipëri ka nisur të tkurret e për pasojë shifrat e infektimeve dhe fataliteteve kanë qenë në zbritje të vazhdueshme. Në dy spitalet Covid në kryeqytet po trajtohen rreth 45 pacientë, numri i cili është në shifrat më të ulëta pas atyre që u raportuan në 3 muajt e para të këtij viti.
Frymëmarrja e krijuar në sistemin shëndetësor ka mundësuar mbylljen e spitaleve rajonale, pas spitaleve Covid 3 dhe Covid 4. Pacientët nga rrethet do të trajtohen në Tiranë, duke qenë se kapacitetet pritëse janë të lira.
Spitali i Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës, u hapën nga autoritetet më 15 shkurt të këtij vit. Radhët e autoambulancave përpara dyerve të spitaleve Covid në Tiranë me pacientë që kërkonin shtrim, detyroi autoritetet të përshtatin spitalet rajonale. Ky ishte skenari i cili çliroi spitalet Covid në kryeqytet nga dyndjet e pacientëve.
Gjatë këtyre ditëve në diskutim për t’u mbyllur ishte edhe spitali “Shefqet Ndroqi” por autoritetet e kthyen këtë vendim për të shmangur çdo rast të përhapjes së virusit në popullatë. Megjithatë, në dy javët e fundit incidenca e rasteve ka qenë në zbritje duke bërë që Komuniteti Teknik i Ekspertëve të lehtësojë masat e ndërmarra më herët.
Më të rezervuar ekspertët e Komitetit Teknik u treguan me klubet e natës si dhe mbajtjen e disa kufizimeve në ambientet të cilat shihen me risk të lartë për përhapjen e koronavirusit. Lehtësimi i masave në fund të muajit maj pritej edhe nga ekspertët e shëndetit publik, referuar edhe të dhënave që pas 244 ditëve pandemi, Shqipëria regjistroi ditët e para pa viktima.
Megjithatë, për çdo rast duhet treguar kujdes dhe vigjilencë pasi valët e virusit mund të rikthehen. Epidemiologu Alimehmeti sugjeron që ora policore duhej hequr për t’i mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë, ndonëse për subjektet tregtare dhe lokalet kufizimi duhet të mbetet në fuqi.
Përmirësimin e situatës ekspertët e shohin te procesi i vaksinimit i cili po shtrihet në grupet e riskut pas kryerjes së vaksinave te moshat e treta. Punonjësit e transportit publik janë të radhës që do të vaksinohen, duke parë edhe riskun që ata kanë mbartur gjatë lëvizjes së qytetarëve me urban.
Pas këtyre masave lehtësuese, janë punonjësit e taksive që kërkojnë rikthimin në punë me kapacitete të plota si shpëtimin e vetëm nga një krizë e dytë ekonomike. Shqipëria po bëhet gati të pres turistët në nisje të këtij sezoni turistik.
Deri tani janë vaksinuar mbi 6 mijë punonjës të shërbimit Hoteleri-Turizëm, për të mundësuar pritje të sigurt të pushuesve. Ekspertët e shëndetit publik parashikojnë që vera do të jetë e qetë, por duhet treguar sërish kujdes me afrimin e vjeshtës pasi çdo ulje vigjilence mund të jetë një rrezik për ripërhapjen e virusit Covid-19. (A2)