Nga Ylli Pata
Ka një fenomen dramatik në opinionin publik që shqiptarët shohin në darkë në panelet dhe debatet e mbrëmjes në televizione.
Panelistë që mbrojnë qeverinë e mazhorancën nga ana tjetër, e panelistë që janë kundër Edi Ramës nga ana tjetër, por thjesht që shtyjnë opozitën në shtigje radikale, rrugë konfrontimi, përplasjeje e natyrisht përballje jashtë sistemit.
Fakti më i fundit që është actual dhe i rëndësishëm për të diskutuar është një qëndrim i qartë i Edi Ramës drejtuar opozitës që ka dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Nga kutitë e votimit, faktori politik jo vetëm primar, por determinant dhe mbizotërues është Partia Demokratike, e jo LSI që ka devijuar në margjina politike.
Edi Rama, i ka ofruar Partisë Demokratike një pakt të ri politik për vendin, një ftesë ku vetë Rama nuk ka vënë kufi, të paktën verbalisht, e ku jo jep thjesht një mundësi po hap një log politik të ri në vend, ku të dy palët e ndarë për gjysmë gati të funksionojnë ndryshe.
Ky mesazh i Edi Ramës, mund të jetë siç e thotë dikush, një sinjal i përsëritur në vitin 2013 apo 2017, por realisht në atë kohë, opozita nuk e konsideroi, e rrëzoi dhe preferoi luftën totale.
Tani ne jemi në një realitet politik, ku ata zëra që përfaqësojnë qëndrimin anti-Rama, apo pro PD-së, do të duhet ta rikonsiderojnë apo ta ridiskutojnë këtë ftesë.
Me sapo shikohet nga panelistët e darkës, kemi së paku një keqkuptim të llahtarshëm të këtij momentumi. Një momentum aspak për Edi Ramën apo për Lulzim Bashën por për vendin, shoqërinë, debatin publik, e natyrisht për cilësinë e politikës.
Kufizimi i qëllimshëm i këtyre panelistëve, i ftesës për bashkëpunim thjesht tek “Koalicioni i Madh” është së paku dritshkurtësi.
Në rastin aktual, është opozita që mund të bëhet protagoniste, pasi Edi Rama, i ka ofruar një letër të bardhë, ku opozita ka shansin por edhe një detyrim publik që të jetë bashkëpërgjegjëse për jetën politike të vendit.
A është kjo ftesë për një qeveri të përbashkët? A është kjo ftesë për një komples reformash të reja, apo për një arkitekturë politike krejt të re? Janë të gjitha debate që duhet të nisen pasi opozita të peshojë e mendojë ofertën, natyrisht duke shtuar e diskutuar idetë e saj.
Nëse i kërkohet PD-së një kthim në llogoret e vjetra, apo i vihet kufi, nuk është kuptuar asgjë nga ajo që votuesit kanë zgjedhur më 25 prill.
Votuesit e opozitës donin që forca që ajo përkrahën duhet të vinte në qeverisje, e njëjta gjë edhe ata të Ps-së, por në fund, rezultati është ai që është dhe është në kuti.
Megjithatë edhe brenda votës së palëve ka një rezultat që duhet lexuar edhe është i qartë; votuesit e opozitës nuk kanë dhënë një vullnet për një përplasje te re, dhe kjo duket qartë se kanë ndëshkuar elementët radikalë në PD, duke votuar më shumë për elementët e rinj që ofron një imazh ndryshe.
Jemi në një realitet të ri, që më shumë sesa Lulzim Basha, që ka edhe fushatën e brendshme, nuk do ta pranojnë panelistët që janë burgosur pas interesave të disa palëve që janë ndëshkuar keqas më 25 prill; e që janë Sali Berisha e Ilir Meta.
Këto dy pole, pas 25 prillit nuk janë më aq faktorë sa ç’kane qenë më parë, jo vetëm prej mos votimit, por edhe se rruga që ata ofrojnë është fotokopje e 8 viteve që kaluam. E ajo rrugë është e papranueshme si nga ndërkombëtarët, si nga “shumica e heshtur” apo elektorati gri, por edhe nga vetë votuesit e opozitës.
Panelistët e konsiderojnë çdo sinjal vetëm pushtet, e jo proces politik, i cili është krejt ndryshe nga i pari.
Nëse Rama, apo mazhoranca thotë se Presidentin e ri të Republikës do të zgjedhim me konsultim me PD-në, ky nuk është një Pazar apo dhënie pushteti, është proces politik drejt një institucioni që duhet të jetë më shumë se bipartizan, madje në Shqipëri ka qenë më shumë se një herë i tillë.
Kur Rama thotë që të nisim një proces të ndryshëm, kjo nuk duhet të tingëllojë si ofertë, por të paktën të diskutohet si një zhvillim, ku natyrisht fjalën apo topin e ka opozita.
E që nuk flitet as për ministri apo për drejtori. Po këta panelistë që e shtyjnë opozitën në qasje radikale, procesin e konsiderojnë si pre apo pushtet, ndaj për 8 vite kanë folur për zgjedhje në tavolinë e jo votime në kuti…
TemA