Nga Pajtim Bello/ Zërat që thonë se Partia Demokratike ka vdekur po shtohen dita ditës. Disa e thonë qartë e prerë, të tjerë më nënteks, por e thonë. Këndi i analizës shpesh nuk është i njëjtë por përfundimi i tyre është i njëjtë.
Por të gjithë bashkë gabojnë në një pikë sepse për ata “vdekja” e PD daton në 25 prill 2021. Kjo nuk është e vërtetë. Nëse i referohesh historisë së zhvillimeve demokratikë në Shqipëri mund të thuash se Partia Demokratike “ka vdekur” që kur ose më saktë ajo nuk lindi asnjëherë.
Po, nuk lindi asnjëherë dhe krijesa që u server si Partia Demokratike nuk ishte e tillë. Asaj krijese iu vesh “këmisha demokratike” që shumë lehtë të merrte flamurin e zhvillimeve demokratike, kështu të “ideonte” e “udhëhiqte” proceset demokratike. Partia Demokratike më së shumti ishte një krijesë juridike pa shpirt dhe ideal demokratik; krijesë uzurpatore e idealeve të demokracisë!..
Në këtë proces nuk kemi të bëjmë me ndonjë gabim njerëzor apo me ndonjë rastësi. Vetë historia dhe akti i themelimit të PD e dëshmojnë këtë konkluzion. Grupi nismëtar u dominua dhe kontrollua nga njerëz pjellë e sistemit që do të rrëzohej prej tyre, nuk kishin asnjë aktivitet anti-sistem qoftë edhe kozmetik; por përkundrazi hynin tek të përkëdhelurit e sistemit dhe mbi të gjitha nuk kishin asnjë prej ardhje disidente.
Kreu i PD qysh në nisje u grabit përmes një dhune të kadifenjtë që u ushtrua mbas votimeve dhe ky akt shënoi atë se kjo parti, ashtu si lindi, asnjëherë nuk do të mund të bëhej demokratike. Ata që e themeluan këtë parti nuk ishin të shqetësuar për fatin e demokracisë në Shqipëri por për të tjera interesa. Ardhjen e demokracisë ata nuk e pengonin dot por djallëzisht mund ta shfrytëzonin në interes të tyre.
Kjo larmi interesash ngjizi një front të fuqishëm ku u përjashtuan aktorë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Interesat e këtyre grupimeve kanë qenë dhe vazhdojnë ende të jenë prioritet I veprimtarisë së PD. Herë prevalojnë interesat e njërit grup, herë të një grupi tjetër dhe jo rrallë ka përputhje vektoriale të interesave sidomos kur janë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare!… Dhe në këtë rrugëtim shtigjet janë çarë përmes flamurit të PD, konvencion e demokracisë që PD e shpalli si të hipotekuar. Pra flamuri i PD është keq përdorur, është shfrytëzuar nga skifterët që kanë drejtuar këtë parti dhe është zhvlerësuar ndjeshëm qysh prej themelimit.
Dhe kështu si pa pritur e pa kujtuar erdhi kjo ditë e kiametit. Shumë kush thotë që PD duhet të rilindë kurse unë them se duhet të lindë. Nëse ka kontigjent demokratësh që mund ta realizojnë këtë proces, le ta marrin përsipër. Mos të hallakaten e të humbin kohën e mendjen nëpër silogjizmat e grupimeve konkurrente për Kryetar të PD në zgjedhjet e 13 qershorit 2021. Këto grupime kurdisen nga dora dhe çelësi i 11 Nëntorit 1990, kështu që do të prodhohet i njëjti rezultat; pra do të kemi një rrugëtim nëpër një spirale horizontale. Në fund të udhëtimit nuk do të ketë ngjitje, nuk do të ketë ndryshim por përsëri zhgënjim.
Nëse duan një Parti Demokratike, të themelojnë një të tillë të vërtetë. Kushtet sociale, politike dhe historike nuk janë të ezauruara. As ideali, përkundrazi është më i ndezur prej tradhtisë që i kanë bërë skifterët e viteve 90-91. Mund të jetë një lindje e vështirë por historikisht është e nevojshme.
Nëse në atë front politik ka idealist guximtarë, kjo realizohet. Në vitin 1990 ishin vështirësi specifike prej shumë rrethanave që i impononte koha, kurse sot gjërat kanë ndryshuar. Guximtarët duhet ta provojnë. Vetëm kështu do të dalin prej spirales ku udhëtojnë nga zhgënjimi në zhgënjim. Në të kundërt nuk do të mbeten as aty ku janë, do të luftojnë me mullinjtë e erës dhe do të zhvlerësohen më shumë përmes një procesi dështimesh.