Mes paralajmërimeve të shumta mbi variantet e reja të koronavirusit, dy studime të fundit ofrojnë një rreze shprese për ndryshim.
Sipas tyre, imuniteti ndaj COVID-19 zgjat të paktën një vit tek ata që e kanë kaluar dhe madje edhe tërë jetën e tyre nëse edhe vaksinohen, njoftoi New York Times, që, nga ana tjetër, nënkupton se ata mund të mos kenë nevojë për doza përforcuese.
Në të dyja studimet, studiuesit ekzaminuan njerëzit që e kishin kaluar COVID-19 afërsisht një vit më parë, sipas Times. Studimi i pare zbuloi se qelizat B që “kujtojnë” virusin varen në palcën e kockave, duke prodhuar antitrupa, ashtu siç është edhe e nevojshme.
Në studimin e dytë u arrit në përfundimin se këto qeliza B të kujtesës maturohen dhe rrisin përgjigjen e tyre për të paktën një vit pas infektimit.
Në studimin e parë, studiuesit analizuan gjakun e 77 personave që e kishin kaluar COVID-19, shumica e të cilëve kishin patur simptoma të lehta, duke filluar afërsisht një muaj pas infektimit për çdo tre muaj në vijim. Ndërsa nivelet e antitrupave të tyre ranë, qelizat B të kujtesës u vendosën tek palca e kockave, të përgatitura për të sulmuar në rast të një ekspozimi të mundshëm ndaj virusit.
E thënë ndryshe: Edhe nëse i mbijeton COVID-19, përsëri të duhet vaksina për t’u mbrojtur. Midis pesë pjesëmarrësve që dhuruan mostra të palcës së kockave, Ellebedy dhe kolegët gjetën se nivelet e qelizave B të kujtesës mbetën të qëndrueshme 12 muaj pas infektimit, duke sugjeruar që këto qeliza mund të qëndrojnë në palcën e kockave për një periudhë të tillë kohore.
Në studimin e dytë, studiuesit analizuan mostrat e gjakut të 63 personave që ishin shëruar nga COVID-19 rreth një vit më parë, shumica e të cilëve gjithashtu kishin pasur simptoma të lehta. Njëzet e gjashtë kishin marrë të paktën një dozë Pfizer ose Moderna. Ndërsa qelizat B të kujtesës u maturuan, antitrupat që ato prodhonin ishin më të aftë për të neutralizuar një pjesë më të gjerë të varianteve SARS-CoV-2.
Tek pjesëmarrësit e pavaksinuar, ky aktivitet neutralizues – thelbësor në parandalimin e infeksionit – ishte zbehur kundër të gjitha varianteve virale, veçanërisht atij të zbuluar fillimisht në Afrikën e Jugut, vuri në dukje Times, duke kundërshtuar arsyetimin e senatorit Rand Paul për të mos u vaksinuar.