Në fjalën e tij para grupit të deputetëve të zgjedhur të PS, Rama tha se 4 vjeçari i ardhshëm do të jetë shumë ndryshe në marrëdhënien me PD-në.
“Mesazhi im i dytë është për të gjithë ju këtu, jini gati për ta braktisur llogoren e luftës së vjetër politike dhe për të çuar këtë frymë në të gjithë PS-në. NË aspektin me marrëdhënien me PD-në ky mandat i tretë nuk do t’i ngjajë në asnjë mënyrë 2 të parëve. Sado që ata të mos e pranojnë rezultatin. Shqipëria na ka dhënë besimin e madh dhe mbështetjen e plota për ta udhëhequr dhe ne do ta bëjmë pa u marrë me politikën banale të përditshme. Ne nuk kemi më një mandat për të luftuar me PD-në por për të çuar në fund punët e mëdha që kemi nisur dhe për të nisur punët e mëdha që duhen çuar në fund. Pa u lodhur, pa e humbur durimin dhe toruan. Do ta tregojmë me sjellje dhe me vepra që për ne kjo është dekada kur duhet çuar sa më në majë Shqipëria. Sharjeve të tyre ne do t’i përgjigjemi me idetë tona. Kritikave të tyre ne do t’i përgjigjemi me mendje të hapur. Baltës dhe sherrit të padobishëm ne do t’i kthejmë faqen tjetër”, tha Rama.