Përfaqësuesja e Shoqërisë Civile, Brisida Gjikondi, ishte sot e ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, për të komentuar lajmin e bujshëm të një dite më parë ku Sali Berisha u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjikondi shprehet se lajmin e mori vesh kur një shoqe i dërgoi me mesazh “twitter”-in e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Kur e mora vesh thashë më në fund mbaroi tranzicioni. Një mesazh i ndryshimit të epokave. Berisha ishte ideatori i gjithë këtij tranzicioni të shëmtuar në Shqipëri.
Edhe pse kishte tetë vite larguar nga politika, fijet e tij të nëndheshme, dyshja e tij me Metën, fjalori i tij vulgar, dhe lidhja me botën e krimit, të gjitha këto bënë që DASH të ishte shumë i sinqertë, e të godiste në kokë vatrën e qelbit.
Është ai ideatori i vjedhjeve të para të zgjedhjeve në ‘96, ideatori i përçarjes në ‘97, ideatori i gjyqësorit të korruptuar”, tha përfaqësuesja e Shoqërisë Civile.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për herë të parë kanë qenë të qartë për t’i rënë në kokë Zeusit negativ të shqiptarëve.
“Për herë të parë i dhanë fund këtij sistemi hibrid, që ka qenë pjellë e Berishës që e pësuam për 30 vite.
Ky është një moment historik për Shqipërinë, për të patur një Parti Demokratike, demokratike. PD të mendojnë me urgjencë për rigjenerimin e saj”, tha Gjikondi.
Ajo shtoi se “Berisha ka vdekur moralisht, politikisht e burrërisht”.