Në Bashkinë Shijak kanë përfunduar edhe 110 shtëpitë individuale të Lotit II dhe pritet që brenda qershorit të përfundojnë edhe 30 shtëpitë e tjera të këtij Loti prej 140 banesash.
Kryeministri Edi Rama e nisi këtë javë duke iu dorëzuar çelësat e banesave të reja disa familjeve në fshatin Vlashaj të kësaj bashkie, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana dhe nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Në Vlashaj hynë në shtëpitë e reja 16 familje, ndërkohë që familjet vazhdojnë një nga një të rinisin jetën në banesa të reja, të mundësuara nga Programi i Rindërtimit, kudo ku tërmeti goditi banesat e vjetra, duke i bërë të pabanueshme.
“Nga loti i dytë i banesave individuale janë ndërtuar 21 banesa. Në fshatin Vlashaj, 16 banesa kanë mbaruar dhe 5 prej tyre kanë marrë fondin për ta rindërtuar vetë. Familja e Zotit Naim ka patur një shtëpi 60 metra katrorë dhe sot kanë një banesë 75 metra katrorë. Gjithashtu janë përfitues nga bonusi i qerasë nga dita e parë e tërmetit”, – u shpreh kryetari i bashkisë, Elton Arbana.
Programi i Rindërtimi ka zgjidhur për një pjesë të madhe të familjeve edhe problemin e strehimit, pasi sipas parashikimeve që bën ligji, kanë përfituar jo vetëm më shumë metra sesa kishin para tërmetit, por janë trajtuar me banesa të veçanta edhe shumë raste të bashkëjetesës së dy familjeve nën një strehë.
“Janë mbi 2500 banesa individuale, të kombinuara ndërtim dhe pagesë e plotë për qytetarët, siç premtuat para vitit të ri që deri në maj do jenë 2500 banesa individuale të ndërtuara ose të paguara. E theksoj këtë jo pa qëllim pas zgjedhjeve, për të konfirmuar vazhdimësinë e mbajtjes së premtimeve”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
Edhe familja e Vladimir Qokut, të cilit çelësat e banesës së re ia dorëzoi Kryeministri, ka përfituar një shtëpi më të madhe se ajo që kishte. “Këto janë raste tipike që përveç zgjidhjes nga tërmeti janë dhe zgjidhje strehimi. Në total janë mbi 600 familje që përfitojnë përveç shtëpisë së ndërtuar nga e para, edhe metra katrorë plus, një zgjidhje e strehimit afatgjatë”, – nënvizoi Ahmetaj.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana informoi se “në Shijak, Loti i parë ka përfunduar në dhjetor. Loti i dytë është prej 140 banesash. Kanë përfunduar 110 dhe 30 prej tyre përfundojnë brenda muajit qershor”.
Nga Programi i Rindërtimit, Bashkia e Shijakut, ashtu si edhe bashkitë ku shtëpitë e banorëve u dëmtuan nga tërmeti ka trajtuar familjet me bonusin e qerasë deri ditën që është dorëzuar shtëpia e re.