Mbipesha është një faktor i rëndësishëm rreziku për gjendje të rëndë dhe vdekje nga COVID-19, por, përveç kësaj, disa shkencëtarë kanë shprehur shqetësime se mbipesha ndikon edhe në efikasitetin e vaksinave.
Dy studime italiane të botuara së fundmi tregojnë se ky shqetësim mund të dalë i vërtetë. Të dy studimet përfshijnë një vaksinë mARN (BioNTech/Pfizer) të administruar për punonjësit e kujdesit shëndetësor në Itali, pa ndonjë problem tjetër të veçantë shëndetësor.
Intervali kohor midis dy dozave ishte 21 ditë. Studimi i parë përfshiu 248 subjekte, përgjigjet imune të të cilëve u vlerësuan një javë pas dozës së dytë të vaksinës. Ai tregoi se një indeks më i lartë i masës trupore (BMI) shoqërohej me një përqendrim më të dobët të antitrupave si përgjigje imune ndaj vaksinës.
Studimi i dytë përfshiu 86 persona, përgjigjet imune të të cilëve u vlerësuan një deri në katër javë pas dozës së dytë të vaksinës.
Ky studim nuk tregoi ndryshime në përgjigjen imune sipas BMI, por tregoi se personat me mbipeshë qendrore (perimetri i belit > 88 cm për gratë dhe > 102 cm për burrat) treguan një përqendrim më të dobët të antitrupave si përgjigje imune ndaj vaksinës.
Për më tepër, ky studim tregoi se pirja e duhanit dhe hipertensioni ishin të shoqëruara me përqëndrim më të ulët të antitrupave, një zbulim i raportuar për herë të parë në literaturë.
Këto vërejtje, megjithëse fillestare, kanë një rëndësi të veçantë. Nëse provohen nga studime të tjera më të mëdha, ato do të ndikojnë në vendimet e politikave shëndetësore për të planifikuar në mënyrë efikase vaksinimet e përsëritura të mundshme.