Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Përveç dënimit me burg, është marrë vendimi që Llallës t’i hiqet për 5 vite e drejta për të ushtruar funksione publike.
Ndërkohë, mësohet se pasuria e tij kalon në favor të shtetit ku bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Edhe pse kanë kaluar disa vite nga kthesa e madhe në karrierën e Llallës, mund të kujtojmë një deklaratë të fortë tij që solli përplasjet e para me Shtetet e Bashkuara dhe më tej shpalljen e tij si person në “listën e zezë” të SHBA.
Llalla e ka pranuar publikisht se ngërçi ka nisur nga koha kur ambasadori Donald Lu i kërkoi sipas tij arrestimin e një politikani të rëndësishëm për korrupsion.
Emrin e politikanit (Ilir Meta) që iu kërkua të arrestohej nga Ambasada Amerikane, ish Prokurori i Përgjithshëm e ka treguar në Kongresin Amerikan, kur iu kërkua informacion në lidhje me ndikimin e Soros-it në Shqipëri.
Më herët, mediat vendase zbuluan një letër të Llallës të publikuar në Maj të vitit 2017 në faqen e internetit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Asaj kohe, në letrën për Nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Europën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
Në letrën e Llallës, dërguar Kongresit, shkruhej: “…Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm arrestimin e Ilir Metës, kryetar i Parlamentit dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vlerësimin e z. Lu, Kryeparlamentari Meta ishte i korruptuar dhe po bllokonte Reformën në Drejtësi”.
Arrestimi i tij (sipas Lu) mund të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar në Bashkimin Europian, thotë Llalla, i cili vijonte më tej, duke shpjeguar qëndrimin e tij: “Kjo kërkesë, tërësisht e papërgjegjshme, detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpriste takimin, duke u shprehur se arrestimi i çdo njeriu, përfshirë edhe zyrtarët, mund të bëhet vetëm në bazë të provave”.
Debati duket se ka qenë i ashpër, pasi Llalla, në letrën drejtuar Kongresit, shkruante: “Prokurori i Përgjithshëm theksoi se kërkesa (e ambasadorit) ishte jo logjike dhe se, arrestimi i zyrtarëve të lartë, pa prova, rrezikon të sjellë destabilitet politik dhe social”.
Pjesa më e rëndë e këtij komunikimi vjen më poshtë, sipas përshkrimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. “Përballë këtij qëndrimi (të prokurorit të përgjithshëm), Ambasadori Lu u shpreh se destabiliteti i mundshëm i Shqipërisë nuk përfshihej në prioritetet e tij”.
Më vonë, Adriatik Llalla u zëvëndësua në detyrë me Arta Markun dhe fill pas kësaj ish kryeprokurorit, iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen.(TemA)