Vijon rregullisht, edhe në këto ditë të nxehta të verës shpërndarja e karburantit falas për plot 20 mijë fermerë përfitues nga skema e posaçme në përfitim të fermerëve. Në total janë 4.1 milionë litra naftë që po shpërndahen tek përfituesit, të cilët aplikuan pa kosto në e-Albania në periudhën tetor-shkurt me vetëm një dokument pronësie që provon se zotërojnë më tepër se 4 dynym tokë bujqësore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, deri më tani janë shpërndarë 1.7 milionë litra naftë, ndërsa pjesa e mbetur do të vijojë të shpërndahen deri në fund të muajit nëntor. Gjatë një eventi të organizuar ditën e sotme, në të cilin ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, skema e karburantit falas u konsiderua si një mekanizëm kyç, në nxitjen e eksporteve që synohet të rriten nga aktualisht 400 milionë USD deri në 1 miliardë USD në fund të 2025-s.

Për këtë arsye, niveli i financimit të skemës dhe numri i përfituesve do të rritet vit pas viti.

Aktualisht, kjo skemë i kushton shtetit shqiptar 10 milionë USD në vit, ndërsa parashikohet që deri në 2025-s niveli i financimit të shkojë në 50 milionë USD.