Në Shqipëri prodhohen mbi 4500 tonë mjaltë në vit. Një shifër e tillë tregon se bletaria tashmë është një biznes i mirëfilltë dhe se kontributi që ka në ekonomi është relativisht i lartë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Federatës Kombëtare të Bletërritësve të Shqipërisë, ku u njoh shqetësimet ka që sektori. “Bletaria ka marrë një zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit dhe vetëm në 2020, sipas statistikave të INSTAT, prodhimi i mjaltit arriti në 4599 tonë. Mbështetja për këtë sektor do të vazhdojë dhe po shikohen mundësitë që të rritet në vijim të kërkesave të bletërritësve”, u shpreh ministrja.

Ekonomi bëri të ditur po ashtu se në takim u diskutua edhe për nevojën e rregullimit të kuadrit ligjor dhe problematikat e tjera që do ta përmirësonin më tej punën e rreth 12 mijë bletërritësve në vend.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021 financon drejtpërdrejtë bletarët me 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere. Vitin e kaluar (2020) Skema Kombëtare mbështeti të gjithë aplikuesit në masën 2, për bletari që ishin 1458 fermerë dhe 358,365 koshere të shpërndara nëpër të gjithë vendin.

Një zhvillim tjetër pozitiv për sektorin e bletarisë në vend është hapja e eksportit me Kinën. Kjo është një mundësi e madhe për bletërritësit shqiptarë, që do të rrisin prodhimin vendas dhe të ardhurat në ekonomitë e tyre familjare. Fondet për mbështetjen e bletarisë që prej vitit 2014 janë rritur me 749 %. Shqipëria konsiderohet si vendi i përshtatshëm për të ushtruar një veprimtari të tillë, pasi favorizohet nga kushtet klimatike si dhe flora e pasur.