Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në mandatin e tretë të qeverisë synohet një kapitull i ri për sportin universitar. Në sesionin e shtatë të takimeve me të rinjtë jashtë vendit që janë “Gati për Shqipërinë”, kreu i qeverisë theksoi se kjo është një temë për të cilën ka diskutuar me rektorët e universiteteve dhe tashmë ia ka caktuar si detyrë zv/ministres së Arsimit Bora Muzhaqi. “Këtë temë kemi pasur diskutim me rektorët. Faktikisht Bora si zv/ministre që mbulon rininë ka edhe këtë detyrë për momentin që të hapë një kapitull të ri për sportin universitar. Jam i bindur që nuk ju ndahet vetë tani”, tha Rama.

Rama u shpreh se ndihet falënderues për të rinjtë e shumtë që kanë aplikuar në këtë platformë që sipas tij tregon edhe shenjë besimi ndaj qeverisë.

“Ju falënderoj shumë. Ky është vetëm një kontakt njohës dhe prezantues. Duhet të bëni pak durim sepse është shumë më i madh numri i të interesuarve. Pas këtij kontakti të parë bëhet edhe skedulimi i takimeve. Ju uroj shëndet dhe sukses. Faleminderit shumë sepse për mua është edhe një shprehje besimi. Shpresoj shumë që nga pikëpamja e respektit dhe kujdesit nuk do ju zhgënjejmë. Si do materializohet kjo mbetet për t’u parë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë ai ka njoftuar se vijojnë aplikimet për këtë platformë. “Gati për Shqipërinë, sesioni i shtatë. Vijojmë takimet online me aplikantët për nismën Gati për Shqipërinë. Ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta Ndërkohë aplikimet vazhdojnë të priten në adresën gatipershqiperine @kryeministria. al”, shkruan ai.