Turqia dhe Italia i kanë mbyllur përgatitjet dhe janë gati për duelin e mbrëmjes së sotme (21:00). Në “Olimpico” fillon Euro 2020 dhe Turqi-Itali do të jetë dueli hapës. Ndeshje e veçantë për Hakan Calhanoglu, i cili analizon sfidën ndaj ekipit të Roberto Mancinit. “Përballja me Italinë është e veçantë për mua, sidomos prej faktit që do të luhet në Itali, por e tillë do të jetë për të gjithë skuadrën tonë. Jam i lumtur që do të përballem me disa prej shokëve të mi, kemi kohë që e presim këtë moment”. “Kemi punuar shumë dhe shpresoj ta përfaqësojmë sa më mirë Turqinë. Do tentojmë të japim maksimumin në fushë. I kemi analizuar mirë pikat e forta dhe të dobëta të Italisë. Ata kanë lojtarë të shkëlqyer dhe një trajner të madh. Kam folur në telefon me Bonuccin”. “Edhe ne kemi lojtarë të fortë në aspektin individual, kështu që do të shijojmë një ndeshje të bukur”.
“Në finale me Italinë? Do të ishte një sukses i madh për të gjithë. Kemi respekt për ekipin kundërshtar, ata kanë lojtarë plot cilësi, por edhe ne nuk mbetemi pas”. “Nëse luajmë pa frikë, mund të bëjmë gjëra të bukura në fushë dhe do të provojmë kënaqësi të mëdha”, deklaron fantazisti i Milanit, i cili jep një koment edhe në lidhje me rinovimin me kuqezinjtë, me të cilët i përfundon kontrata më 30 qershor. “Kam biseduar me Maldinin dhe Massarën. Diskutuam në lidhje me Milanin, por ua thashë troç që për momentin jam i fokusuar totalisht te Turqia dhe Euro 2020”.