Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Azinë, Philip Reeker do të vizitojë Shqipërinë në fund të këtij muaji. Vizita nuk është e para e këtij lloji, por mund të jetë sinjal i ndryshimeve të mëdha që mund të pasojnë në skenën politike shqiptare në shtator. Reeker ka profilin e një diplomati të rëndë, të përmbajtur në publik dhe që zërin e Uashingtonit e përçon përmes takimeve të drejtpërdrejta me aktorët që ka përballë. Aktualisht ai është me postin “në detyrë”, por që nuk ja bën më të pakta kompetencat. Ndaj, vizita e 30 qershorit bëhet edhe më interesante. Sipas njoftimit të DASh, Reeker do të ndalojë në Shqipëri për një vizitë më pak se 24 orëshe. Do të ulet në Rinas nga Milano për të vijuar më pas udhëtimin drejt Ohrit ku do të marrë pjesë e konferencën “Rruga e Prespës”, përmes të cilës SHBA kërkon të përçojë një mesazh se sa rëndësi kanë marrëveshjet për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Nga takimet në Shqipëri, në agjendë zyrtarisht në mënyrë nominale është konfirmuar vetëm takimi me Ramën. Nuk përjashtohen takime të tjera më udhëheqësit politikë shqiptarë, që mund të jenë të ngjeshura dhe të shkurtra, por të mjaftueshme që diplomati amerikan të përçojë mesazhet e tij. Dhe në këto takime të tjera nuk dihet nëse do të përfshihet edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta e lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Por, në të dy rastet, si me përfshirjen si me përjashtimin, interesante duhet të jenë edhe mesazhet që do të thuhen brenda dyerve të mbyllura apo domethënia injorimit të tyre.
Të tilla mesazhe të drejtpërdrejta i ka bërë edhe në të shkuarën. Në 2012, kur vendi vlonte nga një klimë e trazuar politike për shkak të 12 kushteve të vendosura nga Bashkimit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat, Philip Reeker vizitonte Tiranën. U takua me Kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha, që ironikisht në vizitën e 30 qershorit e gjen me statusin e “ish-it” dhe për më tepër të shpallur “non grata” nga eprori i tij, Antony Blinken.
Në takimin me Berishën në shtator të 2012-ës në dekalaratën zyrtare ai tha me diplomaci se “SHBA pret të shohë vazhdimin e përparimit të reformave dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve demokratike”. Por për cilat institucionet kërkohej pavarësia? Nominalisht nuk u përmend asnjë prej tyre, por logjikisht një hamendësim mund të na çojë te drejtësia, pasi në agjendën e takimeve të asaj vizite, diplomati amerikan u takua edhe me Ina Ramën, në atë kohë kryeprokurore e vendit. Pas 21 janarit, Ina Rama ishte shndërruar në shënjestrën e s u l m eve me një fjalor të rëndë të ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se po vepronte për llogari të Ed Ramës, që në atë kohë drejtonte opozitën.
Vizita e radhës e Reeker do të mbahej në shkurt të 2013-ës, pak para zgjedhjeve parlamentare të atij viti. Mesazhi tradicional i mbështetjes amerikane për Shqipërinë dhe nxitja për reforma dhe zgjedhje të lira e të ndershme u përcoll. Mesazhi i radhës i Reeker, këtë herë në distancë ishte në 2017, kur pas zgjedhjeve të atij viti kërkoi që rezultati të pranohej nga të gjitha palët dhe ato të angazhoheshin në dialog dhe bashkëpunim për kryerjen e reformave, sidomos me vijimin e reformës në drejtësi.
Në 2019-ën, dënoi djegien e mandateve dhe braktisjen e institucioneve nga opozita, dy javë pasi Partia Demokratike dhe LSI morën këtë vendim. Deri para zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, së bashku me kolegët e tjerë në DASh, mes të cilëve edhe Mattheë Palmer, i kërkoi publikisht opozitës që të merrte pjesë në zgjedhjet vendore….
Përballë vendosmërisë së PD e LSI për të bojkotuar këto zgjedhje, mediat publikuan përmbajtjen e një telefonate 20 minutëshe mes Reeker dhe Edi Ramës, një javë para se të zhvilloheshin zgjedhjet e 30 qershorit. Thelbi i telefonatës, siç u raportua në ato kohë, ishte përçimi i mesazhit se me zgjedhjet duhej të vazhdohej përpara dhe kërcënimi i drejtpërdrejtë për partitë opozitare se çdo përpjekje e dhunshme për të ndalur këtë proces do të shoqërohej me shpalljen si “organizata terroriste” të tyre. Këto janë momentet e krizave politika shqiptare kur ka ndërhyrë herë me vizita në terren, herë me deklarata në distancë dhe herë me telefonata Philip Reeker. Vizita e 30 qershorit mbërrin në një tjetër moment delikat për politikën shqiptare, ku Presidenti Ilir Meta është shkarkuar nga Kuvendi dhe pritet vendimi final i Gjykatës Kushtetuese dhe ku Sali Berisha është shpallur “non grata” dhe ka folur për një rikthim të mundshëm në krye të PD./SI