Projektuesi i vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V konfirmoi sot se ajo mbronte kundër çdo varianti të njohur, përfshirë dhe variantin Delta, përgjegjës për një shpërthim të epidemisë së Covid-19 në Rusi. Kryeqyteti rus dhe rajoni i tij, si dhe qyteti i dytë në vend, Shën Peterburg janë në mënyrë të veçantë më të prekurit nga kjo valë e re, duke çuar në rekord kontaminimesh ndërkohë që fushata e vaksinimit po vazhdon.
Rajoni i Moskës ka regjistruar sot rritjen më të madhe ditore që prej fillimit të pandemisë me 1 811 raste, ndërkohë që kryeqyteti ka regjistruar 7 584 infektime të reja. Në fund të javës së kaluar rastet ditore kaluan shifrën 9 000. Sipas kryetarit të Bashkisë së Moskës, Sergueï Sobianine, rreth 90 % e rasteve të reja kishin ardhur si pasojë e variantit Delta, më përhapës, shfaqur në Indi dhe që kërcënon të mbingarkojë spitalet e kryeqyteti.
Në këtë kuadër, Alexandre Guintsbourg, drejtori i qendrës Gamaleia për Sputnik V, pohoi se injeksioni i dyfishtë mbron nga të gjitha variantet e njohura aktualisht, duke filluar nga varianti britanik dhe deri tek varianti indian Delta. Këto deklarata synojnë të inkurajojnë popullatën ruse për t’u vaksinuar, ndërsa fushata e imunizimit ka mbetur prapa në një sfond mosbesimi dhe përkundër thirrjeve të përsëritura nga presidenti rus, Vladimir Putin.