Danimarka dështoi sërish në “Parken Stadium” të Kopenhagenit, pasi u mposht me rezultatin 1-2 nga Belgjika dhe tani është me një këmbë jashtë Europianit.
Ashtu si ndaj Finlandës katër ditë më parë, edhe sot ndaj “djajve të kuq” të Europës, vendasit dominuan në lojë dhe raste shënimi, por shpërdoruan më shumë se duhet dhe dolën sërish “duarbosh”.
Sfida filloi me një përshëndetje për danezin Christian Eriksen, teksa një fanellë e madhe e tij me numrin 10 u shpalos në fushë dhe më pas në minutën e 10’ ndeshja u ndërpre për t’i dhënë fantazistit një duartrokitje në formë homazhi.
Vendasit e nisën vrullshëm takimin dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin pas vetëm 99 sekondash lojë, kur sulmuesi i Leipzig në Bundesligën gjermane, Yussuf Poulsen mori një pasim nga Hojbjerg dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Courtois.
Pjesa e parë u dominua totalisht nga vendasit, që mund të kishin shënuar edhe golin e dytë po të tregoheshin më racionalë, ndërsa Belgjika u pa totalisht në hije dhe larg formës së saj më të mirë.
Megjithatë “djajtë e kuq” ndryshuan tërësisht në pjesën e dytë, pasi trajneri Roberto Martinez hodhi në fushë fantazistin Kevin De Bruyne, ndërsa në minutën e 55-të erdhi edhe goli që baraspeshoi rezultatin.
Ishte sulmuesi kryesor i belgëve, Romelu Lukaku, që mori një top në gjysmëfushën daneze dhe pasi dribloi bukur kapitenin Kjaer, shërbeu në zonë për De Bruyne, i cili nga ana tjetër ftoi me një pasim perfekt Thorgan Hazard, i cili e pati të lehtë të shtyjë topin në rrjetë.
Në minutën e 70’ ishte sërish Romelu Lukaku që bëri gjithçka mirë nga krahu dhe u lirua nga markimi i dy mbrojtësve, para se të niste një kombinim perfekt me shokët e skuadrës, i cili u mbyll me një gjuajtje të bukur të De Bruyne nga jashtë zone dhe topi u ndal për herë të dytë në rrjetë ne Schmeichel.
Ky gol zgjoi vendasit, që u hodhën në sulm në kërkim të golit të barazimit dhe rastet e krijuara ishin të shumta, por fati dhe portieri Courtois bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar, 2-1 në favor të belgëve.
Pas dy ndeshjeve të para, Danimarka mbetet në kuotën e zero pikëve dhe ka komplikuar plotësisht kalimin për në fazën e 1/8-ave, pasi edhe fitorja ndaj Rusisë në fund mund të mos mjaftojë, ndërsa Belgjika ngjitet në krye me 6 pikë dhe bëhet e dyta pas Italisë, që siguron kalimin për në fazën e 1/8-ave.