Hapja e sezonit turistik për Tiranën ishte një moment për të sjellë në vëmendje pasuritë natyrore, historike dhe të trashëgimisë kulturore që mbart ky qytet. Mes shumë atraksioneve që kryeqyteti shqiptar u propozon turistëve të huaj, por edhe atyre vendas, është edhe muzeu ‘Bunk’Art2’ vendosur në një zonë qendrore dhe lehtësisht i aksesueshëm nga të gjithë.

ATSH ishte pranë këtij muzeu për të parë nga afër se çfarë përfaqëson ai në ofertën turistike të kryeqytetit, ndërkohë që përbën një monument kujtese dhe përkujtimi për gjithë ata që vuajtën nën regjimin komunist.

Në udhëtimin e errët të këtij muzeu-bunker na shoqëroi një nga punonjëset, Marsida Turku e cila na rrëfeu se ky bunker është ndërtuar nga viti 1981 deri në vitin 1986 dhe është edhe bunkeri i fundit që është ndërtuar gjatë komunizmit

Ajo çfarë të bën menjëherë përshtypje sapo hyn në ambientet e “BunkArt2” është një listë emrash të cilët lexohen me audio. Ata janë rreth 6000 emra njerëzish që janë viktima të komunizmit që kanë ndërruar jetë gjatë asaj periudhe. Të spiunuar nga të afërmit dhe familjarët apo të akuzuar për arsye politike dhe kundërshtim ndaj sistemt komunist. Mes tyre edhe emrat e klerikëve të shpallur më vonë martirë.

Struktura e muzeut përbëhet nga 24 dhoma shumë të vogla dhe 4 korridore, me një sipërfaqe rreth 1000 m2.

Paranoja e sistemit komunist nga një sulm bërthamor që do të vinte nga armiku imagjinar e ndërtoi këtë bunker me të gjitha parametrat për t’i rezistuar një sulmi kimik, pavarësishtë se nuk u përdor kurrë si i tillë, madje as vetë diktatori që i kontrollonte këto ambiente nuk arriti që ta shihte.

Bunkeri ndodhet në mes të Tiranës pasi do t’i shërbente vetëm institucionit të Ministrisë së Brendshme dhe vetë ministrit, ndaj edhe është afër dhe komunikon vetëm me këtë institucion i cili edhe ditët e sotme ndodhet sipër tij.

Gjithçka që gjendet në brendësi të Bunkart 2 është autentike e kohës, përveç formës në formë kupole që gjendet në fillim. Ajo nuk ka qenë dikur sepse vetë bunkeri ka qenë i fshehtë dhe kjo pjesë iu shtua vetem para disa vitesh kur u mor vendimi që të kthehej në muze.

Në fillim ndeshemi me foto nga periudha e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe me uniformat e xhandarmërisë së parë të krijuar në këtë periudhë. Gjithça ka të bëjë me këtë uniformë duke filluar nga detajet dhe aksesorët është e bazuar mbi simbolikën e flamurit kombëtar, pra kuqezi. Pra shtetformimi dhe fokusi mbi krijimin e institucionit të policisë është fillimi i udhëtimit në këtë bunkër. Të gjitha këto dhoma kishin për qëllim t’i shërbenin të gjithë punonjësve apo zyrtarëve të kësaj ministrie.

Fotot e klerikëve të parë të ekzekutuar të besimit katolik dhe musliman si dom Gjon Gaxuli dhe Beqir Struga të cilët u ekzekutuan duke u pushkatuar në publik krijojnë ndjesi te publiku sidomos kur në tokë sheh një nga trungjet që janë përdorur për trekëndëshin e varjes së tyre. Fotot dhe filmimet e materialeve vijnë nga arkivat e Institutit Italian të propagandës së kohës LUCE.

Edhe prizat apo sistemi i ajrimit të bunkerit janë origjinale dhe akoma funksionale.

Pak më tutje kemi edhe periudhën e pushtimit të vendit nga forcat italiane. Gjatë kësaj kohe kemi edhe armët sikurse është Bajoneta që nëse mbaronin plumbat, pushka mund të përdorej edhe për ndeshje fizike trup më trup. Bajoneta prej hekuri në krye të pushkës shërbente si një armë shtesë për të luftuar.

Vijojmë me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës që instaloi sistemin komunist. Ky sektor simbolikën e tij ka telin me gjemba që përmbante edhe energji elektrike çka tregon edhe për izolimin që i ndodhi vendit gjatë kësaj epoke të errët. Rreth 9000 persona e humbën jetën gjatë tentativës për t’u arratisur dhe duke i kaluar këto tela me gjemba.

Pak më tutje vijmë në periudhën e shembjes së sistemit komunist dhe shohim një manekin të veshur më uniformën e famshme dhe të frikshme të sampistëve, të përbërë nga kasketa, shkopi i gomës, mbrojtësja dhe jelekuanti-plumb.

Më pas vijmë tek sektori i laboraratorit të kriminalistikës i cili si sektor është krijuar më 1956. Kjo hapësirë ka duke filluar nga radiot e komunikimit, teleskopët gramafoni dhe është laboratori i dytë për nga rëndësia në Europë pas atij të shtetit gjerman. Sektori i çimkave është një tjetër kënd me të gjitha pajisjet e fshehta që montoheshin edhe në ambientet e shtëpive të njerëzve që duhet të përgjoheshin me video apo audio. Është krijuar një inskenim se si funsiononte edhe procesi i përgjimit.

Kemi gjithashtu edhe veshjet tipike të policisë së shtetit para viteve ‘90 të shoqëruara edhe me foto reale përveç obiekteve. Sektori zjarrfikës dhe policia rrugore kanë qenë ndër institucionet më të varfra nga investimi sepse parimi ishte që sistemin komunist e mbanin në pushtet vetë qytetarët duke spiunuar njëri-tjetrin dhe jo nga struktura të mirëfillta shtetërore.

Centralet telefonike për komunikimin janë edhe një tjetër element i kohës.

Mbërrijmë në një moment në një shteg të fshehtë i cili konsiderohet edhe si një nga momentet më të rëndësishme. Është pikërisht ambienti nga ku hyhej dhe dilej nëpërmjet këtij objekti të fshehtë dhe të veçantë. Si shteg është i mirësiguruar me 6 dyer por që për plan “B” ka edhe një tjetër shteg nëntokësor.

Menjëherë pas ardhjes në pushtet të Enver Hoxhës që instaloi komunizmin, e ktheu vendin në një shtet ateist duke vrarë në mënyrë demostrative para publikut shumë klerikë dhe këto fragmente janë të fiksuara të gjitha nëpërmjet fotove që mund të shihen në këtë ambjent të dedikuar. Fotot janë të shkrepura në qytetin e Shkodrës kur klerikët shkojnë drejt ekzekutimit.

Fuksat apo 80-lekshit kanë ambjentin e tyre të dedikuar si një moment tjetër i errët i historisë, sepse përveç “fajtorëve” ata spiunonin dhe sajonin histori edhe për njerëz të tjerë të ndryshëm të cilët nuk kishin kryer asnjëlloj faj. Këtu shohim edhe dosjet e tyre me intriga për qytetarë të ndryshëm.

Manipulimi nëpërmjet fotove dhe skenarit vjen i demostruar nëpërmjet ngjarjes së trillur ndaj At Zef Pëllumbi, i cili gjendet i fotografuar gjatë momentit të arratisjes, por ky moment ishte i inskenuar nëpërmjet një skenari të trilluar. Kemi edhe foto të cilat tregojnë se si janë bërë retushimet duke fshirë prerë apo duke i mbivendodur personat e padëshiruar.

Vijmë në zyrën dhe ambientet e punës së “Ministrit të Brendshëm” që është si një mini apartament tepër luksoz për kohën i veshur në të gjithë sipërfaqen e tij me material fruti si dekor i shtrenjtë dhe mbrojtës nga agjentët kimikë, ku ndodhet dhe kompiuteri origjinal i asaj kohe “Commodore Pack 64” i vitit 1982 shumë i famshëm për kohën dhe i pari që ka mbërritur në Shqipëri. Një tjetër fakt shumë interesant ishte edhe se mbi tavolinën e punës së Ministrit ndodheshin tre telefona të ngjyrave të ndryshme që tregonin se ishin linja të dedikuara. Telefoni gri shërbente vetëm për komunikimin me zyrtarët e ministrisë apo të shtetit, telefoni i kuq komunikohej vetëm me Kryeministrin e kohës dhe telefoni i zi shërbente vetëm për të komunikuar drejtpërdrejtë me diktatorin, pra nëse binte zilja e atij telefoni dihej në mënyrë të qartë se kush ishte në krahun tjetër të telefonit. Në këtë ambient kishte vend vetëm për ministrin dhe jo për familjarët e tij.

Në këtë dhomë kemi edhe një nga televizorët e parë me ngjyra të prodhuar në Durrës më 1983. Gjithashtu muret janë të mbushura me portretet e të gjithë ish-ministrave të Brendshëm të diktaturës që përveç Koçi Xoxes që themeloi edhe sigurimin e shtetit, të gjithë të tjerët janë të ekzekutuar nga ish-regjimi.

Sektori i letrave anonime ka edhe ambient të posaçëm, pasi janë letra të cilat nuk përmbajnë asnjë emër të personit që i ka dërguar. Nga këto letra kemi edhe shumë të ekzekutuar në mënyrë të pafajshme.

Të huajt apo turistët që mbërrnin në Shqipëri kanë edhe ambientin e tyre ku edhe qetheshin dhe ndryshonin pamjen e tyre për t’iu përshtatur regjimit. Berberi që i qethte ishtë gjithashtu agjent i infiltruar dhe të gjithë këta turistë spiunoheshin dhe qëndronin vetëm në hotelet e pajisur me përgjues, duke filluar nga mbajtësja e çelësave që ishte në vetvete një mjet përgjimi.

Afër fundit i drejtohemi edhe dhomës së dedikuar 6000 personave që humbën jetën në mënyrë të padrejtë nga regjimi komunist ku 5500 burra dhe afro 500 ishin gra. Kemi gjithashtu edhe një listë prej 1000 personave që u konsideruan të humbur në atë kohë dhe nuk u gjendën kurrë.

Në fillim të viteve ‘90 kemi edhe momentin kur regjimi mori shumë armë nga Gjermania pikërisht për t’i përdorur ndaj personave që po përpiqeshin të rrëzonin regjimin komunist dhe po kërkonin të sillnin demokracineë e vërtetë.

Në dalje të bunkerit ndodhet gjeneratori i cili do të shërbente për të furnizuar këtë bunker në një moment sulmi nga armiku që do të ndërpriste edhe furnizimin me energji elektrike. E gjithë sipërfaqja në të katër anët e bunkerit ka një rrethim me beton të cilësisë shumë të lartë dhe rezistent nga agjentët kimikë dhe biologjikë me gjatësi 2 metra e gjysmë.

Në këtë bunker ka shumë vizitorë gjatë gjithë ditës të cilët vëzhdojnë me habi e kureshtje këtë strukturë. Nuk mund të mos mernim opininin e njërit prej tyre Peter Fröberg nga Suedia i cili shprehet se: “Nuk arrij të kuptoj se kush ka qenë armiku nga i cili ju jeni mbrojtur kaq shumë? Më bën përshtypje fakti tjetër që ky objekt ndodhet në qendër të kryeqytetit dhe nuk arrij të kuptoj se si ky regjim komunist që ka qenë ndër më të egrit në Europë, ka pasur një periudhë kaq të gjatë pushteti. Si është e mundur që vetë njerëzit nuk mundën dot ta përmbysnin këtë regjim nga i cili edhe paskan vuajtur shumë. Është pikërisht kjo gjë që nuk mundem ta kuptoj duke njohur edhe karakterin rebel në përgjithësi të pupullit shqiptar.