Punimet në shkollën 9-vjeçare “Pezë e vogël” në Tiranë, janë drejt përfundimit, duke ofruar standardet më të mira për 250 nxënës. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndau sot pamje nga ecuria e punimeve në këtë kantier, ku sipas tij, po punohet me shumë përkushtim. ” Shkolla e re Pezë. Më e bukur se kurrë. Me shumë përkushtim, tullë mbi tullë dhe jemi drejt përfundimit të saj”, tha Veliaj.
Shkolla “Pezë e Vogël” do të shërbejë edhe si një qendër komunitare për t’u përdorur 24 orë nga fëmijët dhe banorët e zonës. Shkolla e re do të ketë një kapacitet prej 250 nxënës, për të plotësuar nevojat e komunitetit të zonës. Në dy katet e saj do të ketë 8 klasa me nga 24 nxënës, 2 klasa për parashkollor, 4 laboratorë kimie fizike, biologjie etj. Gjithashtu do ketë bibliotekë, sallë mësuesish, dhomë mjeku dhe psikologu.
Vetëm në njësinë administrative Pezë, janë 4 shkolla të reja ku po investohet, Pezë e Vogël, Pezë e Madhe, Pezë-Helmës, dhe Pojanë.