Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi zhvilloi një bashkëbisedim me demokratë në qytetin e Beratit, në kuadër të turit të saj për zgjedhjet e 13 qershorit.
Gjatë fjalës së saj, Harxhi u shpreh se e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, pasi këto zgjedhje janë njohur edhe nga ndërkombëtarët. Kjo deklaratë bie ndesh me atë të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili i ka cilësuar një masakër elektorale zgjedhjet parlamentare.
Harxhi tha se Partia Socialiste ka fituar, teksa shtoi se këtë fakt e tregojnë edhe shifrat. Sipas saj, analiza që duhet bërë brenda kampit blu, është fakti se pse nuk u arrit që elektorali gri të dilte në votime.
”Unë i njoh zgjedhjet sepse zgjedhjet janë njohur nga ndërkombëtaret. Ata kanë fituar. Shifrat flasin vetë, nuk jemi ata që duhet te themi që vota është vjedhur, por shifra e pjesëmarrjes është e njëjtë, si në 2017, pse ne nuk arritëm të nxjerrim elektoratin gri?’’, tha Harxhi.