Dy vëllezër nga Lushnja kanë qenë dje të ftuar në rubrikën “Shihemi në gjyq”, emision gjatë të cilit situata ka degraduar deri në përdorimin e fjalorit banal dhe gati në akte dhune. Eduardi ka marrë një kredi prej 15 milionë Lekësh në vitin 2008 për vëllain e tij Gramozin, i cili kishte një biznes të gjësë së gjallë. Për arsye të shumta, kjo kredi nuk është paguar akoma dhe tani ka shkuar rreth 30 milionë Lekë.

Tani Eduardi i kërkonte vëllait të tij Gramozit që të paguajë Lekët e kredisë sepse banka po e shqetëson atë dhe se mund t’ia marrë të gjitha pronat që ka. Në një moment në studio situata degradoi… Të dy vëllezërit hoqën rripat e pantallonave për të gjuajtur njëri-tjetrin. Ndërkohë, në rrjetet sociale është publikuar një tjetër video, e regjistruar jashtë kamerave. Dy vëllezërit kanë tentuar përsëri të rrihen në fund të emisionit, e pranishme aty ka qenë dhe Eni Çobani. E gjendur mes dy vëllezërve, ajo ka thirrur stafin e sigurisë të cilët kanë mbajtur larg Eduardin dhe Gramozin.