Franca e Didier Deschamps frenohet nga Hungaria teksa barazoi 1-1 në Puskas Arena të Budapestit në një ndeshje të dominuar totalisht prej saj. Skuadra kampione e botës kishte një treshe te frikshme sulmuese me Mbappe, Griezmann dhe Benzema, por asgjë nuk funksionoi sipas parashikimit. Duhej të fitonte me Goleadë skuadra kampione e botës, të pakt[n n[ let[r, por yjet e saj nuk ishin në ditën e tyre më të mirë për të shfaqur efektivitet në fushën e lojës, kjo edhe për një meritë të një portieri veteran siç ishte Gulasci që ndërhyri në jo pak raste duke u kthyer në një mur të vështirë për t’u kaluar.
‘Një dush i ftohtë për Blutë’ shkruante l’equipe teksa komentoi fundin e pjesës së parë të kësaj sfide që u mbyll me avantazhin e befasishëm të Hungarisë pas golit të Fiolas. Ai që mendoi të shpëtojë skuadrën e Deschamps ishte pikërisht Antoine Griezmann teksa barazoi shifrat në 1-1 duke festuar në mënyrën më të mirë ndeshjen e tij të 50 radhazi me fanellën e Francës.
Një seri kjo të cilën e nisi pikërisht në Evropianin e shtëpisë së tij në 2016 me sfidën ndaj kombëtares shqiptare në ndeshjen e dytë në grup kur u aktivizua në pjesën e dytë. Që nga ai moment ai ka qenë gjithnjë në fushë për Blutë teksa në 47 ndeshje radhazi ka qenë titullar, duke nisur nga sfida me Holandën në 31 gusht të 2017.