Që kur Maurizio Sarri vendosi të marrë përsipër drejtimin e Lazio, destinacioni i Elseid Hysajt u bë më i deshifrueshëm. Si lojtar i lirë, pa rinovuar me Napolin, kapiteni ynë kuqezi kishte disa oferta. Por, ribashkimi me trajnerin që e bëri ky që është, si tek Empoli, por edhe Napoli, konsiderohej mundësia më e mirë. Aq më tepër që te Lazio do të gjejë edhe dy shqiptarë të tjerë, Igli Tare, drejtor sportiv, dhe Thomas Strakosha, portier. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Hysaj është tashmë vetëm një hap larg bardhekaltërve.
Negociatat kanë përparuar, akordi është arritur, ndërsa mbetet vetëm të formalizohet ligjërisht kontrata. Shkodrani kuqezi shkon me ngritje rroge te Lazio, por siguron edhe karrierën në Serie A. Më në detaje, mësohet se Hysaj do të fitojë diçka midis 1.5 dhe 2 milionë euro pagë në sezon. Kohëzgjatja e kontratës, plot 5 sezone.