KE e ka konsideruar Shqipërinë një vend të sigurt nga pandemia e COVID, duke e futur në listën e shteteve që vendet e BE-së duhet të heqin kufizimin e udhëtimit. Pas një rishikimi për heqjen graduale të kufizimeve të përkohshme të COVID për udhëtimet në BE, Këshilli Evropian azhurnoi listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit.
Bazuar në kriteret dhe kushtet e përcaktuara në rekomandim, që nga 18 qershori 2021 vendet anëtare duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit në kufijtë e jashtëm për banorët e vendeve si Shqipëria, Australi, Izraeli, Japonia, Liban, Zelanda e Re, Republika e Maqedonisë së Veriut, Ruanda, Serbia, Singapori, Korea e jugut, Tajlandë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Hong Kong dhe Makao, Tajvani.
Sipas KE-së, banorët e Andorrës, Monakos, San Marinos dhe Vatikanit duhet të konsiderohen si banorë të BE-së për qëllimet e këtij rekomandimi. Kriteret për të përcaktuar vendet e treta për të cilat duhet të hiqet kufizimi aktual i udhëtimit u azhurnuan më 20 maj 2021.
Ato mbulojnë situatën epidemiologjike dhe reagimin e përgjithshëm ndaj COVID-19, si dhe besueshmërinë e burimeve të informacionit dhe të dhënave në dispozicion. Reciprociteti gjithashtu duhet të merret parasysh rast pas rasti. Vendet e lidhura me Shengen, Islanda, Lichtenstein, Norvegjia, Zvicra gjithashtu marrin pjesë në këtë rekomandim.