Qeveria e Kinës tha se një person ka kontraktuar gripin e shpendëve, variantin H10N3, porse rreziku i përhapjes në shkallë të gjerë është i ulët. Ky besohet të jetë rasti i parë i infektimit të një njeriu me H10N3. Pacienti, 41 vjeç, nga qyteti Zhenjiang, është shtruar në spital më 28 prill dhe është në gjendje stabile, njoftoi të martën Komisioni Kombëtar i Shëndetit.

“Ky infektim është një transmetim aksidental midis specieve”, tha ky komision. Sipas tij, “rreziku i transmetimit në shkallë të gjerë është jashtëzakonisht i ulët”.

Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, gripi i shpendëve H7N9 ka infektuar 1,668 njerëz qysh në vitin 2013. Prej tyre, 616 kanë vdekur. Epidemia e fundit njerëzore nga gripi i shpendëve H7N9 ka ndodhur në Kinë nga fundi i vitit 2016 deri më 2017.