Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se të hënën ka arritur në këtë shtet, kontingjenti i parë i vaksinave kundër koronavirusit, të prodhuara nga Pfizer/BioNTech. Ky kontingjent është rezultat i marrëveshjes së arritur mes kompanisë amerikane Pfizer dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithatë, Ministria nuk ka treguar për numrin e dozave që kanë arritur në Kosovë, ndonëse kur është nënshkruar marrëveshja, në muajin maj, Qeveria ka thënë të ketë blerë mbi 1 milion doza.

Në njoftim është thënë se me sigurimin e këtyre dozave, vaksinimi në masë do të shtrihet në disa kategori të popullatës, përveç atyre me prioritet. Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë kundër koronavirusit. “Këto vaksina do të ndihmojnë edhe më shumë punëtorët tanë shëndetësor, të cilët kanë qenë në ballë të betejës kundër pandemisë COVID-19 që nga dita e parë. Duke qenë se pandemia nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët shëndetësor kanë vënë prioritet vaksinimin në masë, për të siguruar kështu funksionimin normal të veprimtarive shoqërore që mundësojnë kthimin në një normalitet social dhe ekonomik për qytetarët dhe bizneset në Kosovë”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Deri më tani, Kosova ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.

Rastet ditore me koronavirus Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të hënën katër raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 1,386 mostrave.

Përgjatë 24 orëve të fundit, nuk është regjistruar asnjë viktimë. IKSHPK-ja ka njoftuar se më 28 qershor janë shëruar pesë pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 170.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,743 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,258 kanë vd e kur./REL