Kryeministri Edi Rama së bashku me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca dhe ministrin për Rindërtim Arben Ahmetaj, kanë ndjekur punimet në shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” në Kurbin. Nga atje Rama tha se falë mbështetjes së BE shkollat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit po rilindin. Rama theksoi se ka përfunduar faza e parë e rindërtimit të shkollave me fondet e qeverisë, dhe po vijon faza e dytë e rindërtimit me fondet e BE-së.

“Projekti është pjesë e fazës së dytë pasi jemi drejt finalizimit të fazës së parë me fondet e qeverisë. Tani jemi në fazën e dytë me fondet e BE-së për të ndërtuar shkolla me cilësi të lartë. Dua të them se shkollat e reja garantojnë kursim energjie dhe një mikroklimë shumë më të këndshëm qoftë në verë dhe në dimër.Në këtë rast dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë dhe në veçanti ambasadorin e Bashkimit Europian. Shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” po rilindin për bukuri pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit, falë financimit nga Bashkimi Europian”, shprehet Rama.

Soreca nënvizoi mbështetjen e BE ndaj vendit tonë, që të ecë përpara.

“Sot jemi për të vizituar dy shkolla të cilat po ndërtohen në sajë të programit të financuar nga BE. 75 milion euro për më shumë se 6 shkolla. Europa është këtu”, tha Soreca.