Nga Ilir Yzeiri
Në librin « 12 Regulla për jetën – një antidodë ndaj kaosit », përkthyer tash së fundi edhe në shqip, të autorit Xhordan B. Peterson, një nga mendimtarët më të mëdhenj të kohës, ka edhe një udhëzim, siç pranon ta quajë ai, që është Rregulli 8, që thotë : « Thuaj të vërtetën osë të paktën mos gënje ! »Pasi e trajton gënjeshtrën si një rast klinik dhe pasi përmend raste të pacientëve të tij, sepse ai është në profesion psikolog klinik, që vuanin nga paranoja të rrezikshme dhe pasi tregon se edhe ai vetë ishte mbërthyer nga sindroma e gënjeshtrës, Peterson konkludon se gënjeshtra është njësoj si të marrësh shtegun më të lehtë, ndërsa që të arrish te e vërteta duhet sakrificë dhe forcë. Janë dy mënyrë krejtësisht të ndryshme ekzistence, përfundon ai.
Mirëpo, përsa kohë përdorim fjalën ne mund ta manipulojmë botën ashtu si duam ne. Manipulimi i botës, pra ndërtimi i një bote imagjinare me anë të fjalëve për një qëllim të caktuar, është specialitet sidomos i punonjësve të marketingut . Por, të manipulosh botën për qëllime egoiste dhe të ulëta, në radhë të parë, duhet të falsifikosh veten, duhet të intrigosh, të gjesh një slogan të gënjeshtërt dhe të propogandosh. Ta çosh jetën kështu do të thotë të kthehesh në skllav të një dëshire të mbrujtur keq. Pastaj do të ndërtosh një ligjëratë të mbushur me argumentime delirante. Shembujt e manipulesve dhe të gënjeshtarëve publikë janë të panumërt. Këta bashkatdhetari i Frojdit. psikologu austriak Alfred Adler i quante « jetë në rrenë ».
Lulëzim Basha është politikani tipik që gjithë jetën e tij e ka ndërtuar mbi gënjeshtrën. Ai lundron në rrena. Ka hyrë në politikë, madje është ngjitur në majë të saj, duke manipuluar jetën e tij, ka ndërtuar një biografi të gënjeshtërt dhe e ka shkruar jetën e tij duke u mbështetur tërësisht mbi manipulimin. Kulmi është historia e tij se kur ka qenë 4 vjeç daja e merrte të dëgjonte « Zërin e Amerikës », siç thotë në librin « Misioni im ». Ka manipuluar shkollimin, punën në Kosovë dhe tani në fund, ka nxjerrë një slogan tjetër për të manipuluar ndjekësit e tij që është « Masakra zgjedhore ». Ky slogan i prodhuar nga njeriu që e ka ndërutar jetën e tij publike mbi « rrenën » ka manipuluar deri edhe « Zërin e Amerikës ». Pyetjet që i bënte gazetari i « Zërit të Amerikës » kandidates për kryetare të PD-së Edit Harxhi për « masakrën zgjedhore » të shpikur nga Lulëzim Basha ishte marrë si një shqetësim me të cilin solidarizohej edhe ky institucioni pavaruar mediatik që drejtohet e frymëzohet nga Elez Biberaj.
Lulëzim Basha jo vetëm që ka shpikur këtë sllogan të gënjeshtërt, por ka ndërtuar një narrativë të tërë për ta bërë gënjeshtrën e tij aksion dhe veprim. Ai thotë se ka marrë përsipër të bindë SHBA-të dhe BE-në për « masakrën zgjedhore » njësoj si ai i sëmuri rëndë me paranojë që i thotë mjekut psikolog në shtratin e rrëfimit se ai do ta kthejë edhe njëherë Luftën e Ftohtë, se ai do ta përmbyë edhe njëherë komunizmin, se do ta kthejë Shqipërinë në vitin 1990, do ta përmbysë edhe njëherë komunizmin dhe se vetëm ai do ta vendosë rregullin përballë kaosit të « masakrës zgjedhore ».
Lulëzim Basha nuk është i vetmi njeri që lundron në rrena. Edhe babai i tij shpirtëror, Sali Berisha ka zgjedhur shtegun më të lehtë dhe është hedhur në krahët e ëmbla të gënjeshtrës. « Zëri i Amerikës » i pikëlluar nga fati i Sali Berishës që është shpallur familjarisht non grata prej SHBA-ve pse ka bërë korrupsion, ka penguar drejtësinë dhe ka minuar demokracinë, i bënte gjyqin Edita Harxhit dhe i kërkonte llogari pse ajo nuk ishte e shqetësuar për fatin e Berishës po aq sa është e shqetësuar pse Lulëzim Basha nuk udhëton dot në SHBA. Kjo do të thotë se rrena dhe manipulimi arrijnë të ndryshojnë botën dhe perceptimin e fanatikëve, arrijnë që, ashtu si ata punonjësit e marketingut, ta shesin produktin e vet edhe kur ai është për t’u hedhur në plehra. Pra, Lulëzim Basha dhe Sali Berisha, këta dy personazhe groteskë që e kanë ndërtuar jetën e tyre në rrenë, po arrijnë ta shesin produktin e tyre të « masakrës zgjedhore » dhe të « dinjitetit » të paktën te « Zëri i Amerikës ». Dhe kjo nuk është pak.