Në kuadër të Procesit të Berlinit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi mori pjesë sot në një takim online me përfaqësues të lartë nga vendet e Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe në lidhje me menaxhimin e migracionit të parregullt në kohën e pandemisë së COVID-19.
Ministri Çuçi tha se “duke marrë parasysh masat globale të bllokimit të lëvizjes për shkak të pandemisë dhe panoramën e gjerë të rënies së flukseve të migracionit, Shqipëria ka pasur një situatë relativisht të qëndrueshme në kufi”.
“Kjo falë nivelit të përgatitjes profesionale të Policisë sonë Kufitare, operacionit të përbashkët me FRONTEX, si dhe bashkëpunimit të shtuar me shtetet fqinje. Sot Shqipëria është një ndër vendet e rajonit me standardet më të larta në menaxhimin e migracionit”, – tha Çuçi.
Megjithatë, vijon ministri Çuçi, ka ende një hapësirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta për të luftuar më tepër dhe në mënyrë më të koordinuar krimin ndërkufitar, ku shkëmbimi i informacionit është ndër elementët më të vlefshëm.
Ministri Çuçi u shpreh se “besoj se falë përpjekjeve të përbashkëta dhe mbështetjes së ndërsjellë Shqipëria do të kemi sukses në qasjet për të menaxhuar migracionin, sikurse jemi zotuar të gjithë përmes ‘Axhendës 2030’ për Zhvillim të Qëndrueshëm, për të bashkëpunuar ndërkombëtarisht dhe lehtësuar migrimin e rregullt dhe adresimin e të gjitha aspekteve të migrimit ndërkombëtar”.