Ka kaluar ndoshta pa u vënë re, për shkak të orës së vonë dhe një minutazhi tejet të zgjatur për një format si emisioni i Arian Çanit, një mesazh i koduar që Sali Berisha i dha Lulzim Bashës publikisht. Më shumë sesa një mesazh, ishte një vijë e kuqe e përcaktuar qartë nga një akt lufte, përtej së cilës askush brenda PD nuk mund të kalojë dot këtë radhë. Sepse në lojë është fati politik dhe juridik i themeluesit të PD dhe familjes së tij të ngushtë biologjike!
I pyetur se përse Kryetari dhe vetë PD duket sikur nuk po e mbronin këtë kohë aq sa duhet, në lidhje me vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” të familjes së tij, Sali Berisha pasi tha kalimthi se ka patur solidaritetin më të madh që ka marë ndonjëherë u hodh për herë të parë tek diçka në dukje parimore. Por djalli, fshihet pikërisht këtu, prapa detajeve të tilla!
Sali Berisha tha se PD është ngritur mbi dy parimethemelore: 1.- Mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe 2.- Mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve. Dhe shtoi: Nëqoftëse PD (e drejtuar tani nga Lulzim Basha) i cënon këto dy parime themelore, ai do të luftonte deri në fund për ti mbrojtur ato.
Kundërpërgjigja e panelistëve ishte se në cilën nga këto dy parime, kualifikonte Sali Berisha vendimin e SHBA për futjen e tij në listën e zezë? Por si gjithmonë ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë, duke përsëritur për herë të dytë, të njëjtin meshazh:
“Dy janë parimet themelore për të cilat është ngritur PD dhe nëqoftë se unë do të shoh që ato do të cënohen (pra; nëse PD nuk e mbron Sali Berishën nga SHBA që po “i shkel atij dinjitetin njerëzor”, siç tha se kur njoftoi ngritjen e padisë franceze për sekretarin amerikan Blinken) atëherë do të bëj gjithçka që të marrin vendimin…” Kaq e qartë!
Pra e thënë ndryshe nëse Lulzim Basha nuk do ta mbrojë Sali Berishën në rast hapje të proceseve gjyqësore (duke u bërë “bunker politik”) nga akuzat e bëra prej SHBA, atëherë ai do bëjë gjithçka përmes PD që ta detyrojë ose ti dali zot, ose të largohet. Rrugë të mesme, nuk i la.
Nëse Lulzim Basha nuk do ta bëjë dhe do vijojë me lojën aktuale, as kundër SHBA dhe as kundër Sali Berishës, atëherë skenari është gati: Lulzim Basha do të largohet nga kreu i PD për “devijim nga parimet për të cilat kjo parti u themelua në dhjetorin e 1990: Për shkeljen e të drejtave dhe dinjitetit të Sali Berishës”! Pikë.
Kërcënim më të hapur, më të qartë dhe më të prerë se ky, Sali Berisha nuk i ka bërë kurrë më parë Lulzim Bashës. Kryetari në detyrë i PD, që pret të marë një madat tjetër më 13 qershor, e ka të qartë tashmë vijën e kuqe të vendosur nga “lideri historik” dhe babai i tij politik: O me Sali Berishën kundër SHBA, ose me SHBA kundër Sali Berishës.
Pasi të mari mandatin e ri në krye të partisë, nëse Lulzim Basha bëhet me SHBA kundër Sali Berishës, ky do të jetë edhe momenti kur nis lufta. Kjo është lufta finale e Sali Berishës, fundin e së cilës, të gjithë e kanë shumë të qartë tashmë:
Brenda 24 orëve Sali Berisha e largon Lulzim Bashën nga SHQUP dhe rimer partinë. Pak rëndësi ka nëse do rikthehet formalisht vetë, apo të emërojë një manekin tjetër në krye të saj. Ultimatumi u bë publik dhe nga mbrëmë, është në fuqi. Çfarë do bëjë Lulzim Basha? (Alpenews.al)